Trajneri i Kosovës, Franco Foda, është shprehur i kënaqur pas fitores dramatike ndaj Sllovakisë, duke vlerësuar paraqitjen e ekipit dhe karakterin e treguar në fushë.
Ai theksoi se ndeshja ishte e nivelit të lartë dhe se skuadra e tij reagoi mirë, pavarësisht se ishte dy herë në disavantazh.
“Duhet të falënderojmë ekipin. Bëri lojë të mirë, ndonëse ishim dy herë prapa. Ndeshje e shkëlqyer e dy ekipeve të mira. Kosova mund të jetë krenare për ekipin. Sonte festojmë dhe nesër fillojmë përgatitjet për ndeshjen me Turqinë”, deklaroi Foda.
Megjithatë, tekniku gjerman theksoi se ka ende hapësirë për përmirësim, sidomos në repartin defensiv, para përballjes së radhës.
“Kemi luajtur futboll atraktiv. Jam krenar që shënuam katër gola sonte. Kemi pasur edhe posedimin e topit, por në të njëjtën kohë duhet të kemi parasysh që kemi pranuar tre gola. Duhet ta shohim në ndeshjet e radhës si të reagojmë, pasi nuk do të jetë e lehtë të fitojmë, nëse pësojmë gola të lehtë”, tha ai në konferencë për media.
Kosova tani do të zhvendosë fokusin te ndeshja e ardhshme ndaj Turqisë, ku synon të vazhdojë me rezultate pozitive, por me më shumë kujdes në mbrojtje.


