Sporti

Gattuso para përballjes me Irlandën e Veriut: Më e rëndësishmja e karrierës

03/25/2026 23:55
nga:Mergim Rreci

Trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso, e ka cilësuar përballjen ndaj Irlandës së Veriut si sfidën më të rëndësishme të karrierës së tij si trajner, në prag të play-off-it për Kupën e Botës 2026.

Tekniku italian nuk e fsheh presionin e madh që ndjen, duke marrë parasysh përgjegjësinë për ta rikthyer Italinë në skenën më të madhe të futbollit botëror, pas mungesës në dy Botërorët e fundit.

Gattuso u shpreh: “Pa dyshim, kjo është ndeshja më e rëndësishme e karrierës sime. Kam një komb të tërë mbi supe – njerëzit më ndalojnë në rrugë dhe më kërkojnë t’i çoj në Kupën e Botës.”

Ai theksoi se përballja me Irlandën e Veriut do të kërkojë përqendrim maksimal dhe forcë mentale, pasi çdo gabim mund të kushtojë shumë në një ndeshje kaq vendimtare.

Italia synon të shmangë një tjetër dështim historik dhe ta sigurojë rikthimin në Kupën e Botës, ndërsa Gattuso e di mirë se suksesi në këtë sfidë mund të përcaktojë të ardhmen e tij në stolin e “Azzurrëve”.

/GazetaBlic Sport/