Aktgjykimi i orëve të fundit i Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilit deputetëve të Kuvendit të Republikës iu dha 34 ditë kohë për zgjedhjen e kreut të shtetit, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, u analizua nga të ftuarit në `RTK Prime`.
Politologu, Dorajet Imeri, e ka quajtur balancues këtë aktgjykim.
“Nisur nga togfjalëshi ‘dekreti nuk prodhon pasoja juridike’, kësaj fjalie i mungon cilësimi ose mbiemri i dekretit. Dekreti ose është kushtetues, ose nuk është. Nuk ka mundësi të jetë vetëm dekret, sepse dekret është vetëm në kuptimin politik, por në momentin që mbërrin te gjykata si dokument, atë pastaj gjykata duhet ta cilësojë është kushtetues apo jo”, ka deklaruar ai.
Sipas Imerit, 34 ditë janë të mjaftueshme për partitë e pjekura, e për ato që mendojnë, sipas tij, vetëm nga perspektiva partiake, nuk do të mjaftonin as 340 ditë.
Imeri ka thënë se me një deklaratë noteriale, nënshkrimet e deputetëve që janë dhënë për presidentin mund të tërhiqen, sikurse që, sipas tij, mund të tërhiqen edhe kandidaturat, meqë thotë se nuk kanë hyrë në procedurë votimi.
Nga ana e saj, analistja Besa Luzha ka thënë se Kushtetuesja e ka qartësuar që institucionet janë të detyruara të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, sikurse thotë se e qartëson që baza themelore e politikës është marrëveshja, kompromisi.
“Aktgjykimi qartësoi se kur shpërndahet Kuvendi dhe kush e shpërndan. I tregon presidentëve të tjerë që pa marrë parasysh që edhe kur vjen afati nuk bën të shpërbëjë diçka pa ardhur te konsumimi i afateve ligjore”, ka deklaruar ajo.
Analisti Sadik Zeqiri është shfaqur i bindur se as këtë periudhë nuk do të ketë marrëveshje dhe vendi do të shkojë në zgjedhje.
“Edhe këto 34 ditë do të jenë të njëjta, nuk do të ketë marrëveshje politike, sepse askush nuk do t’i ofrojë askujt premtim për votë, dhe unë e shoh që edhe pas 34 ditësh, do të konsumohet dhe vendi do të shkojë në zgjedhje. Është humbje kohe që e ka bërë edhe Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se çdo gjë varet nga LVV-ja si parti me shumicë parlamentare.
Ndërkohë, Fatime Hajdari ka qenë kritike ndaj PDK-së.
“Abdixhiku nga fillimi ka treguar se nuk kanë barrikadim, por në takim me dyer të mbyllura ka qenë i qartë se nuk mund të garantojë për 15 vota në pako të LDK-së, dhe është për tu vlerësuar. Më problematike e shoh PDK-në, që kishte thënë të mos insistohej që kandidatura të ketë librezë partiake, e në takimin e dytë ishte pozicionuar që dy kandidatura të vijnë nga PDK. Ky është barrikadim për ta quar drejt krizës e zgjedhjeve për arsye se mua nuk më pëlqen rezultati. Kjo logjikë shantazhuese, edhe nëse shkojmë në zgjedhje, mendoj se do ndëshkohet keq”, ka deklaruar Hajdari në ‘RTK Prime’.


