Federata Sllovake e Futbollit (Slovak Football Association) ka reaguar ndaj shqetësimeve në rritje për sigurinë përpara ndeshjes së play-off-it të Kupës së Botës mes Slovakisë dhe Kosovës.
Sipas raportimeve, një numër i madh tifozësh nga Kosova kanë arritur të blejnë bileta për sektorët vendas të stadiumit Tehelne Pole, duke shfrytëzuar boshllëqe të mundshme në sistemin e shitjes, transmeton GazetaBlic Sport.
Në skenarin më ekstrem, kjo mund të çojë deri në mbushjen e gjysmës së stadiumit me tifozë mysafirë, pra nga Kosova.
Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje të shumta mes tifozëve vendas, të cilët pyesin nëse filtrat gjatë shitjes online kanë dështuar apo nëse biletat janë siguruar përmes ndërmjetësve në mënyrë të organizuar.
Megjithatë, SFZ ka mohuar çdo neglizhencë, duke theksuar se janë zbatuar të gjitha masat e mundshme parandaluese.
“Në shitje u përdorën të gjitha kufizimet gjeografike që kishim në dispozicion,” thuhet në deklaratën zyrtare të federatës.
Pavarësisht kësaj, federata pranon se ka identifikuar disa raste të dyshimta në listën e blerësve: “Jemi të vetëdijshëm që në sektorët vendas ka disa qindra emra me mbiemra ballkanikë. Megjithatë, këta mund të jenë qytetarë me pasaporta të vendeve të BE-së, përfshirë edhe Sllovakinë.”
SFZ siguron se situata është nën kontroll dhe se është përgatitur një plan emergjence për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes.
/GazetaBlic Sport/


