Lajme

Lumir Abdixhiku propozon 24 marsin si datë kombëtare për të kujtuar ndërhyrjen e NATO-s dhe lirinë e Kosovës

03/24/2026 11:35
nga:Genita C

Lumir Abdixhiku, ka kujtuar 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s më 24 mars, duke theksuar se liria e Kosovës nuk ishte rastësi, por rezultat i sakrificës së popullit dhe vendimit të drejtë të aleatëve, raporton GazetaBlic.

Ai ka nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së miqësive dhe forcimit të rrugës euroatlantike, duke sugjeruar që 24 marsi të trajtohet si datë kombëtare për kujtim të këtij momenti historik.

Postimi i plotë:

Sot shënojmë 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, një nga kthesat më të thella në historinë moderne të Kosovës.

Më 24 mars, përpjekja jonë doli nga kufijtë e vetvetes dhe u bë pjesë e ndërgjegjes nderkombëtare. Vlerat për të cilat qëndruam, liria, dinjiteti dhe e drejta për të ekzistuar, u shndërruan në veprime ushtarake të botës perëndimore. Për 78 ditë e 78 netë rresht, NATO i dha Kosovës drejtësinë e vonuar – dhe atë në formën më të bukur të mundshme – nga qielli.

Sot, gati tri dekada më pas, kujtojmë se liria jonë nuk ishte rastësi, por përputhje historike e sakrificës sonë me vendimin e drejtë të aleatëve tanë. Nga këndvështrimi i botës së sotme, ndoshta mund ta kuptojmë se sa me fat dhe sa e rrallë ishte kjo përputhje, Prandaj sot, kemi një detyrim të shenjtë. Ta ruajmë këtë miqësi, ta forcojmë rrugën tonë euroatlantike dhe të mos harrojmë kurrë pse dhe si u bëmë të lirë. Sepse liria dhe miqësia nuk janë vetëm kujtime. Janë përgjegjësi, çdo ditë.

Dhe mbi këtë përgjegjësi, ndoshta duhet të nisim nga trajtimi formal i 24 marsit si datë kombëtare të Republikës së Kosovës. Jo vetëm si një shenjë kalendari, por si një moment kujtimi për ditën kur historia ndryshoj drejtim për Kosovën.