Lajme

Zbatimi i Ligjit për të Huajt/ Arifi: Veprim i befasishëm nga Kurti – BE shpreson për faqe të re me të në dialog

03/18/2026 14:26
nga:G B

Analisti politik, Avni Arifi, ka komentuar vendimin e Kurtit për të zbatuar Ligjin për të Huajt.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, tha se është veprim i çuditshëm, derisa më herët pranonte dhe sanksione dhe nuk e ndërronte fjalën, ndërsa tani jo.

“Ligji për të huajt është një shumë i rëndësishëm dhe natyrisht Kosova ka pasur nevojë për implementimin e ligjit të tillë. Tash, specifikat e këtij ligji janë shtyrja në implementim për pjesëtarët e komunitetit serb e i cili u bë me kërkesë të Serbisë, është ndër herët e para kur Kurti, me kërkesë të Serbisë dhe Vuçiqit, ka ndërmarrë veprime për mos implementimin e ligjit të Republikës së Kosovës, që paraqet një ndryshim të metodologjisë së punës së Kurtit që e kemi parë deri tash, aq më parë që edhe kur Kosova kishte interes që të bënte veprime në përputhje me kërkesat e BE-së, Kurti pranonte sanksione por nuk e ndërronte fjalën dhe tash është bukur i befasishëm ky veprim i Kurtit”, është shprehur ai.

Arifi theksoi se është e çuditshme që vendimi erdhi në kohën kur zyrtarë të VV-së po akuzojnë ambasadorët për ndikim në Gjykatën Kushtetuese, dhe pikërisht zyrtarët e VV-së po bëjnë presion te Gjykata Kushtetuese.

Ai po ashtu potencoi entuziazmin e BE-së pas këtij vendimi, teksa tha se kjo pasi BE po shpreson për një faqe të re të bashkëpunimit me Kurtin në procesin e dialogut.

“Është e çuditshme sepse kjo po shënohet në një kohë kur partia e tij po akuzojnë ambasadorët për ndikim në Gjykatën Kushtetuese, në një kohë kur pikërisht zyrtarët e VV-së po bëjnë presion te Gjykata Kushtetuese. Tash, reagimi i BE-së ishte më indikativ, e panë me një entuziazëm, madje e sulmuan edhe PDK-në, që ishte e çuditshme nga BE dhe krijon përshtypje se ndoshta BE po shpreson për një faqe të re të bashkëpunimit me Kurtin në procesin e dialogut. Kurti politikën e jashtme e ka kthyer krejtësisht te vetja, nuk e ka më Vjosën që ka shkuar dhe i ka mbajtur me fjalë të mira, koncentrimi bie mbi Kurtin dhe vendimet janë ekskluzivisht të tij”, ka vlerësuar ai për Gazeta Blic.

Ish diplomati tha se ka presion të jashtëzakonshëm ndaj Gjykatës Kushtetuese, por që beson në pavarësinë e saj.

“Është një presion i jashtëzakonshëm ndaj Gjykatës Kushtetuese, unë besoj në pavarësinë e saj dhe pres që të marrin vendim konform Kushtetutës dhe interpretimit të duhur të saj”, ka deklaruar Avni Arifi./Gazeta Blic/