Lajme

Rasti i 5-vjeçarit në Lipjan, Ministria e Familjes autorizon njësinë inspektuese

03/18/2026 13:04
nga:Sh R

Blerim Shabani nga Ministria për Familje, Rini dhe Politikë Sociale ka mbajtur një konferencë për media lidhur me rastin e 5-vjeçarit nga Lipjani, i cili dyshohet se është keqtrajtuar nga prindërit e tij.

Shabani bëri të ditur se Ministria ka autorizuar njësinë inspektuese dhe ka kërkuar një raport të hollësishëm mbi trajtimin e rastit të vogëlushit dhe gjashtë fëmijëve të tjerë të familjes.

“Ne kemi ndërmarrë disa hapa, siç është mbikëqyrja profesionale, kemi kërkuar një raport kronologjik të hollësishëm lidhur me trajtimin, menaxhimin e fëmijëve nga Qendra për Punë Sociale, dhe normalisht në përputhje me këto kompetenca dhe përgjegjësi, kemi autorizuar dhe Njësinë Inspektuese e cila është në kuadër të Ministrisë që ne bëjmë pjesë. Por ajo që është e rëndësishme që ta sqarojmë, çështja e trajtimit dhe menaxhimit të rastit është çështje e kompetencës ekskluzive e komunës”, deklaroi Shabani.

Ai gjithashtu njoftoi se Ministria ka dhënë pëlqimin që fëmijët të dërgohen në strehimore, për të siguruar përkujdesje dhe mbrojtje të nevojshme për ta.