Komisioni Evropian ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Kosovës.
Kjo u bë e ditur gjatë debatit për raportin për Kosovën që u zhvillua në Parlamentin Evropian.
Gjatë debatit u shpreh keqardhje për vitin e humbur në Kosovë për shkak të ngërçit politik që përshkoi tërë vitin 2025.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian theksoi se vendi ishte në një paralizë të plotë politike, e cila kishte pasoja edhe në procesin reformues.
“Është për të ardhur keq që pasiguria dhe ngërçi politik kanë ngadalësuar ndjeshëm reformat e nevojshme që Bashkimi Evropian pret nga aplikantët, të cilat janë gjithashtu qartësisht jetike për vetë vendin. Ka shumë qartë fusha në të cilat Kosova ka bërë regres të ndjeshëm gjatë vitit të kaluar”, tha Riho Terras, raportues për Kosovën në PE.
Në lidhje me heqjen e masave ndaj Kosovës dhe si pritet të ndikojë kjo në ekonominë e vendit ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i çështjeve të ekonomisë, Jakup Bellaqa.
Bellaqa potencoi se heqja e masave është një hap pozitiv dhe se tani fillon mbështetja financiare për Kosovën.
Sipas tij, heqja e masave ndikon në zhvillimin ekonomik dhe social dhe kontribon që të zhvillohet, forcohet dhe rritet mirëqenia dhe standari jetësor i qytetarëve.
“Heqja e masave nga BE- ja, të vendosur në vitin 2023 për shkak të trazirave në Veri në aspektin ekonomik është një hap pozitiv që duhet përshëndetur sepse tash e tutje ndihma financiare fillon të mbështetet për Kosoven.Heqja e këtyre masave ndikon në zhvillimin ekonomik dhe social dhe kontribon që të zhvillohet, forcohet dhe rritet mirëqenia dhe standari jetësor i qytetarëve dhe siguron qëndrushmeri ekonomike dhe krijohet nje ambient dhe klimë më e mire që të zhvillohet biznesi” deklaroi Bellaqa.
Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Bellaqa, tha se largimi total i masave nga BE-ja ndikon që të ‘joshen’ investitorët e jashtëm dhe të rritet bruto-produkti vendor
“Pikërisht ndikon që të ‘joshen’ investitorët e jashtëm që të investohet në sektoret strategjik të ekonomisë dhe të rritet bruto-produkti vendor qe siguron një trend pozitiv dhe rrjedhimisht do të ketë një rritje ekonomike që do të përkthehet në mirëqenie të qytetarve dhe për biznesin e vogel dhe të mesëm” deklaroi Bellaqa në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/
Komisioni Evropian konfirmon heqjen e të gjitha masave ndaj Kosovës


