Lajme

Eksperti i ekonomisë pas heqjes së masave: Zhvillim pozitiv por s’pritet “boom” ekonomik i menjëhershëm!

03/17/2026 19:09
nga:Y I

Komisioni Evropian ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Kosovës.

Kjo u bë e ditur gjatë debatit për raportin për Kosovën që u zhvillua në Parlamentin Evropian.

“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, tha Jiri Plecity, përfaqësues i Komisionit Evropian raporton “Gazeta Blic”.

Në lidhje me këtë vendim të Komisionit Evropian dhe si pritet të ndikojë heqja e masave në ekonominë e vendit ka folur për “Gazeta Blic”, eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri.

Beqiri tha se heqja e masave përbën një zhvillim pozitiv për ekonominë e Kosovës, por me efekt gradual.

Ai tha se zhbllokimi i fondeve krijon hapësirë për investime publike në infrastrukturë, energji dhe projekte zhvillimore

“Heqja e masave nga BE-ja përbën një zhvillim pozitiv për ekonominë e Kosovës, por me efekt gradual. Zhbllokimi i fondeve prej rreth €150 milion, më pas €216 milion dhe potencialisht edhe mbi €200 milion shtesë, krijon hapësirë për investime publike në infrastrukturë, energji dhe projekte zhvillimore. Këto investime mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe punësim.Nga ana makroekonomike, ekonomia e Kosovës është rritur rreth 4.4% në 2024, ndërsa pritet të rritet rreth 3.8%–4% në 2025–2026. Heqja e masave mund të ndihmojë që kjo rritje të mbahet stabile ose të përmirësohet lehtë. Një faktor i rëndësishëm është edhe fakti që BE-ja mbetet partneri kryesor tregtar, me mbi €2.2 miliardë eksporte drejt Kosovës dhe rreth €315 milion importe nga Kosova” deklaroi Beqiri.

Por sipas Beqirit, ndikimi nuk do të jetë i menjëhershëm, efektet do të shpërndahen në kohë dhe sipas tij varen nga realizimi i projekteve dhe stabiliteti politik.

Ai potencoi se nuk pritet një ‘boom’ ekonomik i menjëhershëm.

“Megjithatë, ndikimi nuk do të jetë i menjëhershëm. Efektet do të shpërndahen në kohë dhe varen nga realizimi i projekteve dhe stabiliteti politik. Nëse fondet përdoren në mënyrë efikase dhe vazhdojnë reformat, heqja e masave mund të kontribuojë në rritje më të qëndrueshme dhe zhvillim afatgjatë, por nuk pritet një “boom” ekonomik i menjëhershëm” deklaroi Beqiri në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Lulzim Beqiri- Ekspert i ekonomisë!

/Gazzeta Blic/