Lajme

‘Si në luftë, po evitojmë daljet nga shtëpia’- Flet për “Gazeta Blic” shqiptarja që jeton në Izrael

03/13/2026 09:25
nga:Y I

Prej më shumë se dy javësh Izraeli ka nisur sulmet ndaj Iranit.

Këto sulme janë të koordinuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmin e konfirmoi vetë Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, mëngjesin kur nisën sulmet.

“Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, një grup i egër njerëzish shumë të ashpër dhe të tmerrshëm”, tha presidenti në video.“Aktivitetet e tij kërcënuese rrezikojnë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, trupat tona, bazat tona jashtë shtetit dhe aleatët tanë në të gjithë botën”, tha Trump në mesazhin tetëminutësh raporton “Gazeta Blic”.

Në shenjë hakmarrje edhe Irani ka nisur kundërpërgjigjen duke lëshuar raketa në drejtim të Izraelit.

“Gazeta Blic” ka kontaktuar me Ksenia Jakoel Efimovski, shqiptare e cila jeton në Izrael, e cila na ka treguar se si është momentalidht gjendja atje.

Ajo tha se situatë është si në luftë dhe se po evitojnë daljet nga shtëpia.

“Situata është si në luftë. Sirena jo shumë shpesh, po evitojmë te dalim nga shtëpia sa është e mundur” tha ajo për “Gazeta Blic”.

Gjatë sulmeve të koordinuara SHBA-Izrael është vrarë lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei në zyrën e tij.

Presidenti Donal Trump deklaroi se Khamenei ishte një nga ‘njerëzit më të këqij në histori’ duke iu bërë thirrje iranianëve të marrin mbrapsht vendin e tyre.

Po ashtu edhe kryeministri i Izrael, Benjamin Netanyahu, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj liderit të ri suprem të Iranit gjatë konferencës së tij të parë për shtyp që nga fillimi i luftës, duke mbrojtur sulmet e përbashkëta ushtarake të Izraelit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Netanyahu deklaroi se Irani “nuk është më i njëjti” pas pothuajse dy javësh bombardimesh nga Izraeli dhe SHBA-të, duke shtuar se Teherani ka pësuar goditje të rënda.

Sipas tij, Izraeli synon të ndalojë Iranin që të zhvendosë projektet e tij bërthamore dhe balistike në objekte nëntokësore.

Netanyahu tha gjithashtu se disa nga sulmet izraelite kanë vrarë shkencëtarë të rëndësishëm bërthamorë iranianë.

/Gazeta Blic/