Lajme

Ish deputeti i Guxo kundër Kurtit e Gërvallës, del në mbrojtje të Osmanit

03/09/2026 15:06
nga:G B

Ish-deputeti i partisë Guxo, Burim Meta, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe, siç e ka quajtur ai, “fushatës linçuese” që sipas tij po i bëhet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani nga koalicioni qeverisës, përkatësisht nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Guxo, pjesë e së cilës kishte qenë edhe vetë Osmani.

Reagimi i Metës vjen pas dorëheqjes së Haxhi Avdylit nga të gjitha pozitat në partinë Guxo. Ai i ka cilësuar të papranueshme sulmet ndaj presidentes Osmani.

Meta ka renditur tri pika në reagimin e tij.

Sipas tij, deklarata se presidentja Osmani “po të ishte në Turqi do të pushkatohej” është tejet serioze dhe e rrezikshme, pasi mund të nxisë reagime të dhunshme ndaj saj.

“Deklarata kundër Presidentes, znj. Vjosa Osmani, se po të ishte në Turqi do të pushkatohej, është tejet serioze dhe jashtëzakonisht e rrezikshme për znj. Osmani, sepse mund të nxisë reagime reale vrastare ndaj saj. Andaj, vetëpërmbajtja është domosdoshmëri në situata të tilla”, ka shkruar Meta.

Ai ka bërë thirrje që të mos ketë asnjë veprim dhune ndaj askujt në Kosovë.

Në reagimin e tij, Meta ka kritikuar edhe ministren e Jashtme Donika Gërvalla dhe ministrin e Bujqësisë Faton Peci, duke i akuzuar për, siç tha ai, mungesë njerëzillëku dhe etje për pushtet.

“Këto veprime të dënueshme nxjerrin në pah mungesën e njerëzillëkut, etjen për pushtet dhe karakteret e dobëta e aspak parimore të znj. Donika Gërvalla dhe z. Faton Peci”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Meta e ka cilësuar si veprim të duhur dhe njerëzor dorëheqjen e deputetit Haxhi Avdyli nga partia Guxo.

“Edhe pse mbase me pak vonesë, por gjithsesi një veprim tejet i duhur dhe sipas meje njerëzor është dorëheqja e deputetit z. Haxhi Avdyli nga GUXO. Të lumtë, mik!”, ka përfunduar Meta në reagimin e tij.

 

Haxhi Avdyli jep dorëheqje nga GUXO, shkak përplasja për Vjosa Osmanin