Lajme

Afati i fundit për Presidentin dhe përplasja me VV-në, Osmani pritet të mbajë sot konferencë për media

03/05/2026 11:33
nga:G B

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka sinjalizuar se ajo mund të mbajë një konferencë për media më vonë gjatë ditës.

“Pritet të ketë, mbase, pasdite. Ju njoftojmë”, ka thënë shkurt Kupina për mediat.

Konferenca e saj vjen pas zhvillimeve të fundit për çështjen e zgjedhjes së Presidentit derisa sot është afati i fundit për nisjen e procedurës së zgjedhjes së të parit apo të pares së shtetit.

Osmani nuk u kandidua nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e nxori kandidatin e saj Glauk Konjufca për President.

Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë zhvilluar një takim pak ditë më parë rreth kësaj çështje dhe nga takimi dolën pa një rezultat.

Në seancën e sotme solemne për Epopenë e UÇK-së në Kuvendin e Kosovës, Osmani e Kurti nuk u përshëndetën mes vete.