Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, konkretisht në gjykimin ndaj Hashim Thaçit kundër administrimit të drejtësisë një fotografi ku shihej një qese me mbeturina.
Sipas Prokurorisë, kjo fotografi është bërë gjatë bastisjeve në shtëpinë e Isni Kilajt në të cilën ka pasur copëza letre të grisura.
Prokuroria thotë që sipas analizave forenzike, ka dalur që letrat e grisura i përkasin dëshmisë së mëparshme të dëshmitarit 4 i cili ishte dëshmitar i mbrojtur në rastin e Thaçit për krime lufte.
“Ekspertet forenzik i kanë bashkuar këto copëza të letrës dhe rezultatet tregojnë që Kilaj kishte grisur dhe hedhur në kosh mbeturinash jo copëza letrash rastësore por letra të dëshmive të mëparshme të dëshmitarit 4”, tha prokurori Joshua Hafetz.
Dëgjohen audiot se si Thaçi dyshohet se i dha udhëzime Fadil Fazliut për të ndikuar në dëshminë e Remit
Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Fadil Fazliut, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt dhe Hajredin Kuçit, Prokuroria ka paraqitur audio incizimet se si Thaçi e udhëzoi Fazliun për të ndikuar tek dëshmitarët.
Në audio dëgjohet se Thaçi i tregon Fazliut për Rrustem Mustafën se kur pritej të udhëtonte për Hagë dhe se cfarë t’i thoshte e si duhej të dëshmonte.
Në audio dëgjohej teksa Thaçi e pyeste se a e ke pa, ndërkohë që Fazliu i thoshte se e kishte parë pa shkuar në vizitë në Hagë në “66-sh”.
“Kogja vendimtar është. Po ta them të drejtën”, dëgjohet teksa i thotë Thaçi.
Fazliu i tregonte Thaçit se ky person i kishte thënë se në rast që ata kanë ndonjë porosi unë e kryj s’është problem.
Ndërsa, Thaçi e udhëzon që t’i thotë Mustafës që të deklarohet shkurtë gjatë dëshmisë dhe të mos filozofoj dhe të thotë që s’i kanë ndihmuar as me logjistikë dhe as me armatim.
Në anën tjetër, vetë Fazliu e konfirmon se e ka udhëzuar djalin e tij Fahriun që ta thërras me telefon Mustafën.
Përveç kësaj, publikohen edhe bisedat që Fahri Fazliu dyshohet se i ka bërë me Rrustem Mustafën ndërkohë që po organizonte takimin e babait të tij me atë.
Përveç kësaj u publikua edhe një audio në mes Hashim Thaçit dhe Isni Kilajt në të cilën Prokuroria pretendon se po flitej për një dëshmitar të mbrojtur. Në këtë takim pretendohet se ka qenë i pranishëm edhe Vllaznim Kryeziu.
Sipas Prokurorisë, Thaçi në këtë takim, ia kishte dhënë Kilajt dëshmitë e dëshmitarit 4 dhe e kishte udhëzuar që ta korrigjonte pjesën gjashtë dhe disa pjesë në faqen 7.


