Pal Lekaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth diskutimeve për postin e Presidentit, pas deklaratës së Murat Jasharit se nuk e synon këtë pozitë, raporton GazetaBlic.
Lekaj në një prononcim për GazetaBlic, theksoi se përtej spekulimeve me emra, vendi ka nevojë për një figurë unifikuese dhe me peshë politike.
Sipas tij, Ramush Haradinaj mbetet një nga figurat më konsensuale në skenën politike.
“Në këtë situatë, do ta theksoja qartë se përtej spekulimeve me emra, vendi ka nevojë për një figurë unifikuese dhe me peshë politike. Ramush Haradinaj mbetet një nga figurat më konsensuale në skenën politike, për shkak të përvojës së tij shtetformuese, rolit në luftë dhe në ndërtimin e institucioneve, si dhe faktit që ka dëshmuar se di të bashkëpunojë përtej vijave partiake kur është në interes të vendit”, u shpreh ai.
Ai shtoi se në një moment kur kërkohet stabilitet dhe unitet, një figurë me autoritet politik dhe institucional si Haradinaj do të mund të ishte zgjedhje që i tejkalon kalkulimet e ngushta partiake.
“Në një moment kur kërkohet stabilitet dhe unitet, një figurë me autoritet politik dhe institucional si ai do të mund të ishte zgjedhje që i tejkalon kalkulimet e ngushta partiake. Natyrisht, gjithçka varet nga vullneti politik për konsensus, por nëse flasim për profil unifikues, ai është ndër emrat më seriozë që do të duhej marrë në konsideratë”, përfundoi ai për GazetaBlic.


