Ani pse kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit, situata për këtë çështje mbetet e paqartë.
Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i LVV-së, është takuar me dy krerët e partive opozitare, PDK e LDK, Bedri Hamza e Lumir Abdixhiku.
Megjithëse diskutuan për çështjen e presidentit, thanë se nuk kanë diskutuar për emra të përveçëm për të parin e shtetit.
Lidhur me këtë çështje, analisti Blerim Burjani, thotë për Gazeta Blic se duhet të gjendet zgjidhje pasi nuk ka shumë kohë.
Sipas tij, Kurti duhet të japë të paktën dy propozime dhe të diskutojë me opozitën nëse ata i marrin votat e tyre.
“Duhet të gjendet zgjidhja, kohë nuk ka. Mendoj se Kurti ka gabuar që nuk ka dhënë së paku dy propozime për kandidat të mundshëm dhe të diskutojë me opozitën se cili nga dy kandidatë mund t’i marrë votat. Deri tash ka treguar se nuk ka interesim serioz për të gjetur zgjidhje me bashkëpunim me opozitën por po përgatitet për imponim ose votimin e kandidatit të tij ose të shkohet në zgjedhje, unë mendoj se ai prapë do të përkrahë Vjosën. Kurti në këtë situatë po sillet si “pashë”, nëse nuk ka, dihet solucioni, zgjedhjet”, është shprehur ai.
Burjani vlerëson se mos diskutimi i emrave për kandidatë për president me opozitën tregon se Kurti do ta imponojë një kandidat, ose të shkojë në zgjedhje.
“Mos diskutimi me opozitën për kandidatin lë të kuptohet se ai do të imponojë një kandidat ose pranoni ose shkojmë në zgjedhje. Demokracia po shkon teposhtë në Kosovë, kjo s’është asgjë as autokraci as sundim jo i trajtës demokratike, kurrgjë hiç, por për këtë pasojat do t’i bartë vet qytetari që i ka votuar”, ka deklaruar Blerim Burjani./Gazeta Blic/


