Pas raportimit të GazetaBlic Sport për situatën e krijuar në Stadiumin e Qytetit në Ferizaj, ka reaguar FC Dinamo, duke e cilësuar ngjarjen si të papranueshme dhe të dëmshme për sportin lokal.
Në reagimin publik, FC Dinamo Ferizaj ka bërë të ditur se në prag të ndeshjes së rëndësishme ndaj FC Vushtrria, ekipi është përballur me pengesa serioze organizative, pasi sipas tyre, kryetari i FC Ferizaj ka mohuar shfrytëzimin e zhveshtores së mysafirëve, pa asnjë arsyetim zyrtar.
“Përkundër praktikave të deritanishme dhe marrëveshjeve ekzistuese, na u pamundësua përdorimi i zhveshtores së mysafirëve, duke na detyruar që ekipin kundërshtar ta sistemojmë në kushte jo të përshtatshme për një klub me traditë si FC Vushtrria”, thuhet në reagim.
Sipas FC Dinamo Ferizaj, ky veprim dëmton imazhin e sportit në qytet dhe krijon tensione të panevojshme mes klubeve. Ata theksojnë se stadiumi është aset publik dhe nuk mund të menaxhohet mbi baza individuale apo vendime të njëanshme.
Klubi ka shprehur keqardhje edhe ndaj FC Ballkani për vonesën e krijuar në shfrytëzimin e zhveshtores, duke theksuar se situata erdhi si pasojë e vendimeve të njëanshme nga drejtuesit e FC Ferizaj.
Në fund, FC Dinamo Ferizaj i ka bërë thirrje Drejtorisë së Sportit dhe Kryetarit të Komunës që të ndërhyjnë urgjentisht për të garantuar trajtim të barabartë për të gjitha klubet dhe për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen.


