Vendimi i Drejtorisë së Arsimit të Prishtinës për riorganizimin e shkurtimin e orarit të procesit mësimor në shkollat e kryeqytetit ka nxitur reagime në opinion.
Analisti Imer Mushkolaj tha se ky vendim është antikushtetues meqë feja është e ndarë nga shteti.
“Besimi i secilit dhe secilës është çështje private, personale. Feja është e ndarë nga shteti. Kosova është shtet laik. Ky vendim është antikushtetues. *Kushtetuta, neni 8: “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare””, tha ai në një postim.
Drejtoria e Arsimit tha se ka rishikuar organizimin e procesit mësimor për shkak “të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe në respekt të agjëruesve”.
“Është vendosur që mësimi të fillojë nga ora 07:30, të shkurtohet kohëzgjatja e mesndërrimit si dhe të reduktohen pushimet e gjata. Këto ndryshime bëhen me qëllim që procesi mësimor të përfundojë më së largu deri në orën 17:00, pa u zvogëluar numri dhe kohëzgjatja e orëve mësimore, duke ruajtur cilësinë dhe vazhdimësinë e mësimit”.

