Sulmuesi i Galatasaray, Victor Osimhen, ka publikuar një rrëfim prekës mbi jetën dhe karrierën e tij në platformën The Player’s Tribune, me titullin “A Prayer From the Gutter”.
Në këtë shkrim, ai rikthen në kujtesë rrugëtimin nga fëmijëria e vështirë në Nigeri, ku luante zbathur në rrugë dhe ndihmonte familjen për të mbijetuar, deri te ngjitja në majat e futbollit evropian.
Osimhen ndalet edhe te momentet e dhimbshme personale, përfshirë periudhën kur nuk mundi të vizitonte babanë e tij të sëmurë rëndë për shkak të negociatave të transferimit.
Ai pranon se në atë kohë kishte menduar madje të hiqte dorë nga futbolli, i zhgënjyer nga mënyra se si funksionon bota e biznesit në sport.
Kalimi nga Lille te Napoli shënoi një pikë kthese në jetën e tij.
“Kur u largova nga Lille, isha i humbur. Kur erdha te Napoli, u gjeta”, shprehet ai, duke falënderuar qytetin, tifozët dhe shokët e skuadrës për mbështetjen.
Në veçanti, Osimhen thekson rolin vendimtar të trajnerit Luciano Spalletti, të cilin e përshkruan si “si një baba për mua”.
Ai tregon se në takimin e parë me trajnerin italian kishte pranuar se nuk ishte mirë emocionalisht, por kishte gjetur mirëkuptim dhe besim të plotë.
Sipas Osimhen, Spalletti ishte shembull përkushtimi dhe sakrifice gjatë periudhës te Napoli.
Ai zbulon se trajneri flinte në zyrën e tij për muaj të tërë, duke jetuar praktikisht në qendrën stërvitore, në përgatitje për ndeshjet vendimtare.
“Para ndeshjeve të mëdha na thoshte se nëse fitonim titullin, për ne do të flitej gjithë jetën”, rrëfen sulmuesi.
Fitorja e titullit kampion, Scudetto, pas 33 vitesh pritje për Napolin, përshkruhet nga Osimhen si një moment historik që i dha kuptim sakrificave të bëra.
Në fund, 27-vjeçari shpjegon edhe arsyet e largimit nga Napoli dhe zgjedhjen për t’iu bashkuar Galatasarayt.
Pavarësisht këshillave për të mos u transferuar në Turqi, ai thekson se vendimet i merr me zemër.
“Doja një klub me pasion të jashtëzakonshëm, një nga tre më të mirët në botë për nga pasioni”, shprehet Osimhen.
Për të, lidhja emocionale me tifozët dhe intensiteti me të cilin jetohet futbolli janë elementë thelbësorë, që e bëjnë Galatasarayn destinacionin e duhur për vazhdimin e karrierës së tij.

