Analisti politik, Avni Arifi, njëherësh ish diplomat, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se aktualisht është fazë spekulimesh pasi nuk dihet nëse VV do ta propozojë Vjosa Osmanin për presidente dhe nëse e propozon, nëse do t’i marrë votat e nevojshme, pasi partitë opozitare janë kundër.
Sipas tij, Osmani po lobon te PDK e LDK për votat për presidente.
“Gjithçka në këtë fazë është në fazë spekulimesh. LVV ka qenë konsistente se kush do të jetë kandidat i tyre për president të Kosovës dhe kjo konsistencë është manifestuar se njëherë për njëherë nuk kemi biseduar për këtë punë, askund zyrtarisht nuk e kanë shtyrë përpara si proces. Është e paqartë se a do t’i marrë Vjosa Osmani votat, a do të jetë kandidate e LVV-së dhe nëse i merr votat e LVV-së, qëndrimet e partive opozitare janë negative, se nuk do të rrinë në sallë nëse ajo do të jetë kandidate, mirëpo kjo është demokraci, është politikë, shihet qartë se ajo po lobon edhe te PDK, edhe te LDK, njerëzit mund të ndërrojnë mendje, ndoshta Albini e propozon, këta i rrinë në sallë dhe e kemi sërish presidente. Mirëpo, është vetëm në natyrë të spekulimeve”, është shprehur ai.
Arifi ka theksuar se PDK, LDK e AAK janë shprehur kundër por që në fund të ndryshojnë qëndrimet.
“Përpos LDK-së, kundër janë shprehur edhe PDK-ja, edhe Aleanca, deri më tash, mirëpo, kur të afrohet dita e zgjedhjes, politika, negociatat, marrëveshjet, njerëzit ndërrojnë qëndrime por nuk po duket, nuk shoh shenja që do të ndodhë një gjë e tillë”, ka vlerësuar ai për Gazeta Blic.
Ai po ashtu komentoi pjesëmarrjen e presidentes Osmani në protestën në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së, teksa thotë se kjo për çështje elektorale.
“Me të drejtë kështu po shihet sepse katërshja s’ka shkuar në Hagë që një javë, që 5 vjet ne s’kemi pasur qëndrime të Presidentes që do të kishin qenë në mbrojtje të drejtave të tyre ose që ka iniciuar një rezolutë ose diçka, mirëpo tash është në fazë zgjedhore. Personalisht e shoh se pjesëmarrja e saj në protestë është rezultat i faktit se për 2 javë duhet të zgjedhet presidenti”, ka potencuar ai.
Arifi foli edhe për përkrahjen e Edi Ramës ndaj Osmanit, për çka tha se ai nuk duhet të përzihet në çështje të brendshme të Kosovës.
“Ndërsa, për Edi Ramën, unë besoj se pikërisht qytetarët e Kosovës i kanë treguar disa herë se ai nuk duhet të përzihet në temat e brendshme të Kosovës, kjo është një çështje që i takon vetëm të zgjedhurve të popullit, preferenca kemi të gjithë por kjo i takon vetëm 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Avni Arifi./Gazeta Blic/


