Lajme

“Nana është në rrezik me vdekë”- Djali ankohet për neglizhencë të stafit në QKUK

02/18/2026 19:25
nga:Y I

Më 12 janar të 2026-ës u shtrua në spital dhe nisi mjekimin. E ëma e Bashkim Hoxhajt nga Gjakova, Nushe Hoxhaj, përveç problemeve tjera shëndetësore që kishte, një infeksion i lëkurës i ishte shfaqur, andaj në fillim të janarit shkoi për kontroll në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

Por nga aty, sipas familjarëve, u udhëzua që të vazhdonte mjekimin në QKUK.

Pacientja u mbajtë në repartin e Klinikës së Dermatovenerologjisë deri më 28 janar.

Ndonëse në fletëudhëzim nuk tregohet qartë se në cfarë gjendje ajo është lëshuar nga spitali dhe arsyen pse, familjarët e saj pretendojnë se Nushe Hoxhaj është larguar në gjendje më të rënduar sesa kur ishte pranuar.

Sipas Bashkim Hoxhajt, nëna e tij madje ishte rrëzuar në korridorin e klinikës, ndërsa pretendon se nuk kishte marrë ndihmën e duhur nga stafi.

Pas lëshimit nga spitali i Prishtinës, Nushe Hoxhaj vazhdoi të marrë terapi edhe për dy ditë në shtëpi por që infermierja që përkujdesej çdo ditë për të, pa që gjendja e saj po bëhej çdo herë e më kritike.

Sipas Hoxhajt, niveli i sheqerit madje i kishte arritur deri mbi 50.

Djali i pacientes pretendon se gjatë dy javëve sa ishte e shtruar në Klinikë, nënës së tij i ishte matur niveli i sheqerit vetëm dy here, më 13 dhe 16 janar, çka, sipas tij, figuron edhe në fletëudhëzim.

Nushe Hoxhaj tani vazhdon të trajtohet në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë dhe gjendja e saj vazhdon të jetë jostabile.

I biri i pacientes pohon se nga Gjermani ka ardhur vetëm për ti qëndruar afër nënës së tij.

Por sipas Klinikës së Dermatovenerologjisë, niveli i sheqerit në gjak të pacientes ishte monitoruar sipas nevojës, me matje laboratorike dhe brenda klinikës.

Sa i përket incidentit në korridor, që familja Hoxhaj pretendon që askush nuk ka ndihmuar, QKUK-ja sqaron se pacientja për disa momente nuk ka arritur të ecë për shkak të gjendjes së saj të përgjithshme shëndetësore dhe masës trupore.

Sipas tyre, stafi ka reaguar menjëherë dhe nuk ka pasur lëndime që kërkonin ekzaminime shtesë.

Ndërkohë, nga Spitali i Gjakovës ku momentalisht është duke u trajtuar pacientja, konfirmojnë për Kiksin, se Hoxhaj është rikthyer me gjendje të rënduar shëndetësore, me vlera të larta të glikemisë dhe probleme të shumta shoqëruese.