Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për janar 2026, sipas të cilit çmimet e konsumit janë rritur për 5.8 për qind krahasuar me janarin e vitit 2025.
Sipas ASK-së, inflacioni mujor në janar ishte 1.2 për qind, krahasuar me dhjetorin 2025.
Rritja vjetore është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i biletave të fluturimeve (50.4%), furnizimit me ujë dhe shërbimeve që lidhen me banimin (44.4%), lëndëve djegëse të ngurta si drutë dhe peleti (17.2%), energjisë elektrike (16.7%), si dhe produkteve ushqimore si pemët, mishi, qumështi, djathi dhe vezët.
Në anën tjetër, rënie e çmimeve është shënuar te karburantet dhe lubrifikantët për transportin personal, me 7.3 për qind në baza vjetore.


