Lajme

Kurti priti në takim kryetarin e Ulqinit- Festa e Pavarësisë është e të gjithë shqiptarëve

02/18/2026 16:32
nga:Y I

Kryeministri Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Ulqinit, Genc Nimanbegu, së bashku me delegacionin që e shoqëronte.

Vizita u zhvillua një ditë pas shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me ç’rast Nimanbegu e uroi Kurtin për festën.

Gjatë takimit, Kurti theksoi se festa e Ditës së Pavarësisë së Kosovës është festë e të gjithë shqiptarëve, pasi në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë kanë kontribuar shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe mërgata.

“Diskutuan për tema me interes të përbashkët, përfshirë zhvillimet politike dhe ekonomike në rajon, si dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë në dobi të qytetarëve”, thuhet në një njoftim raporton “Gazeta Blic”.

Kurti e falënderoi Nimanbegun për vizitën dhe urimet dhe shprehu gatishmërinë e plotë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në dobi të zhvillimit dhe mirëqenies së shqiptarëve në Malin e Zi.

Nimanbegu i dhuroi Kurtit një maket punë dore të një anijeje ulqinake me vela, të punuar nga mjeshtri Xhevat Kashoxha.