Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se bazuar në interpretime më 4 mars gjithçka duhet të përfundojë sa i përket zgjedhjes së kreut të shtetit.
Megjithatë, kryeparlamentarja tha se ajo nuk mund veprojë asgjë pa pasur nënshkrimet e dy kandidatëve që synojnë pozitën më të lartë shtetërore.
“Për këtë çështje ju lutem të diskutoni me përfaqësuesin nga LVV. Ne si Kuvend i Republikës duhet t’i kryejmë përgjegjësitë që kemi. Unë sapo t’i kem nënshkrimet nga kandidatët, sepse ju e dini që duhet të jenë 30 nënshkrime nga dy kandidatë, do ta thërras seancën dhe do të procedojmë me këtë. Para së gjithash duhet të ketë takime me të gjitha partitë politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvend“, deklaroi Haxhiu para gazetarëve, me të përfunduar takimin që pati me krerët e komisioneve parlamentare, takim që e ka paralajmëruar se do të jetë i përmuajshëm.
Haxhiu ka folur për veprime të shpejta sa i përket plotësimit të vendeve në disa institucione të rëndësishme të shtetit.
“Pra me inicimin e Kuvendit të Republikë së Kosovës, këto institucione mund të plotësohen dhe këtu hyjnë institucione shumë të rëndësishme. E kemi Gjykatën Kushtetuese me dy anëtarë, presin që Kuvendi t’i zgjedhë, pastaj Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Avokatit të Popullit i ka përfunduar mandati dhe katër zëvendësve të tij, prandaj edhe duhet të veprojmë pa vonesa në këtë drejtim”, tha Haxhiu që tregoi se në parim të gjithë kryetarët e komisioneve u pajtuan që do t’i adresojnë përgjegjësitë që i kanë.
Një tjetër aspekt që u diskutua, Haxhiu tha se ishte zbatimi i ligjeve në praktikë.
“Ju e dini që Kosova ka ligje të mira, por janë disa ligje që nuk zbatohen fatkeqësisht. Prandaj, roli i Kuvendit është shumë i rëndësishëm. Kërkova nga kryetarët e komisioneve që në planet e tyre të punës të adresojnë edhe mbikëqyrjen e ligjeve në fuqi”, tha ajo.
Haxhiu tha se është e rëndësishme të intensifikohet puna e Kuvendit të Kosovës. “Shembujt e kaluar kur projektligjet kanë mbetur të bllokuara në komisione, duhet të marrin fund”, tha ajo.


