Sporti

Presidenti i Bashkimit, Kushtrim Kabashi: Do ta rikthejmë trofeun e Kupës në Prizren pas 25 viteve mungesë

02/18/2026 12:58
nga:Mergim Rreci

Finalja e Kupës së Kosovës në basketboll mes KB Bashkimit dhe Trepçës është një ngjarjet më të rëndësishme të sezonit, dhe presidenti i Bashkimit, Kushtrim Kabashi, shpreh optimizëm maksimal para kësaj përballjeje të madhe.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, para finales, Kabashi theksoi respektin e madh për rivalin, por edhe besimin e palëkundur te skuadra e tij:

Finalja e Kupës kundër klubit Trepça është momenti për të cilin kemi punuar gjithë sezonin. E respektojmë maksimalisht kundërshtarin, pasi luajnë dy klubet më të mira në Kosovë, por besimi ynë në skuadrën tonë është i madh.”

Ai nënvizoi se gjatë gjithë vitit Bashkimi ka treguar cilësi, karakter dhe mentalitet fitues, ndërsa ekipi është ndërtuar për sfida të mëdha si kjo finale:

“KB Bashkimi ka treguar gjatë gjithë vitit se ka cilësi, karakter dhe mentalitet fitues. Kemi ndërtuar ekip për ndeshje të mëdha dhe besoj se finalja është arritur me plot meritë.

Kabashi shprehu optimizëm se trofeu i Kupës mund të rikthehet në Prizren pas 25 viteve:

“Si kryesi e klubit dhe unë personalisht jam jashtëzakonisht optimist se do ta fitojmë Kupën. Atmosfera brenda ekipit, lojtarëve, trajnerëve dhe stafit, është e shkëlqyer, dhe motivimi është në nivelin më të lartë. Ne hyjmë në këtë finale për ta fituar dhe besoj se do ta sjellim trofeun në Prizren pas 25 viteve”, shtoi tutje, Kabashi për ‘GazetaBlic Sport’.

Presidenti i Bashkimit i dërgoi edhe një mesazh tifozëve dhe qytetit të Prizrenit:

“Tifozëve tanë Arpagjik dhe qytetit të mrekullueshëm të Prizrenit, të cilët na kanë përkrahur vazhdimisht, u premtoj se do të shohin një Bashkim luftarak, të vendosur dhe me zemër të madhe. Kjo Kupë është objektivi ynë dhe jemi gati ta realizojmë dhe ta sjellim kupën në Prizren. Ky qytet dhe këta tifoz e meritojnë këtë gjë”, përfundoi Kabashi.

Finalja e Kupës së Kosovës zhvillohet sonte, dhe përballja mes Bashkimit dhe Trepçës pritet të jetë emocionuese në çastet e fundit.

/GazetaBlic Sport/