Banorët e Fushë Kosovës prej më shumë se 24 orë janë pa ujë të pijshëm.
Lidhur me këtë situatë, gjatë mëngjesit të sotëm ka reaguar Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina, përmes një njoftimi ku thuhet se për shkak të turbullirës në kanalin e Ibër-Lepenc, impianti ka qenë jashtë funksionit. Si pasojë e kësaj gjendjeje, më të prekurat nga mungesa e furnizimit me ujë janë Fushë Kosovë, Obiliq, Prishtinë dhe Podujevë.
Më vonë, kompania bëri një tjetër njoftim, duke theksuar se në impiantin e trajtimit të ujit në Shkabaj ka nisur procesi i trajtimit, por aktualisht po zhvillohet me kapacitet minimal për shkak të rrethanave teknike.
“Sipas informatave të fundit, pritet që nga ora 17:00 të fillojë rifurnizimi gradual me ujë për konsumatorët në zonat e Fushë Kosovës dhe Obiliqit. Fillimisht furnizimi mund të jetë me presion më të ulët, derisa sistemi të stabilizohet plotësisht”, thuhet në njoftim.
Komentet në postimin e kompanisë janë bllokuar, gjë për të cilën kanë shprehur pakënaqësi banorët, raporton Klankosova.tv.
Megjithatë, sipas qytetarëve të Fushë Kosovës, deri më tani furnizimi me ujë ende nuk është rikthyer.


