Sot u zhvillua ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës në ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ku ministri në detyrë, Imri Demelezi, i dorëzoi zyrtarisht detyrën ministrit të ri, Armend Muja.
Gjatë ceremonisë, ministri Demelezi informoi ministrin Muja për zhvillimet kryesore në sektorin e bujqësisë gjatë mandatit të tij katërvjeçar, duke përmendur reformat e ndërmarra, projektet dhe programet mbështetëse, me theks të veçantë në rritjen e subvencioneve, investimet në infrastrukturën rurale dhe ndihmën për fermerët dhe agro-përpunuesit.
Muja falënderoi Demelezin për punën e bërë dhe angazhimin në zhvillimin e sektorit bujqësor.
Ai theksoi se prioritet do të jetë mbështetja e qëndrueshme për prodhimin vendor, modernizimi i sektorit dhe zhvillimi i projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e zonave rurale.


