Lajme

Gratë dhe trashëgimia: Ligji thotë po, por tradita vazhdon të thotë jo edhe për të rinjtë

02/15/2026 15:11
nga:Genita C

Kur trashëgimia është tabu

Në Kosovë, shumë gra nuk i gëzojnë të drejtat pronësore, jo për shkak të mungesës së ligjit, por për shkak të mentalitetit.

Tradita ende e sheh pronën familjare si trashëgimi të djemve.

Gjatë raportimit, Radio Evropa e Lirë ka hasur shpesh në refuzimin e grave për të folur për këtë temë.

Arsyeja është e njëjtë: trashëgimia nuk diskutohet në familje.

Sipas një raporti të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në Prishtinë, të publikuar në shtator të vitit të kaluar, rreth 45 për qind e grave që përfshihen në procese gjyqësore, heqin dorë nga trashëgimia.

Tërheqja shpesh paraqitet si “vullnetare”, por në realitet është rezultat i presionit shoqëror, frikës nga prishja e marrëdhënieve familjare dhe normave tradicionale që nuk i trajtojnë gratë dhe burrat si të barabartë.

Raporti bazohet në monitorimin e 60 kontesteve pronësore në gjashtë gjykata themelore të Kosovës, që përfshijnë gra dhe komunitete joshumicë.

E, më shumë se gjysma e rasteve lidhen me trashëgiminë ose ndarjen e pasurisë pas divorcit.

Kur burrat vendosin sa “mjafton” për gratë

Autorja e këtij raporti, Dea Fetiu, thotë për Radion Evropa e Lirë se gratë shpesh heqin dorë nga trashëgimia edhe përmes marrëveshjeve joformale, ose për shkak të premtimeve që nuk realizohen kurrë.

Por, sipas saj, më shqetësuese është ideja e rrënjosur se burrat kanë të drejtë të vendosin vetë se sa duhet të trashëgojë një grua.

“Gjatë monitorimit kemi hasur raste kur vëllezërit i kanë dhënë motrës një banesë dhe kanë deklaruar se ajo nuk ka më të drejtë të përfshihet në ndarjen e pasurisë së prindërve. Arsyetimi ishte se ajo është ‘rehatuar’ me pjesën që ata kanë vendosur t’ia japin”, shpjegon Fetiu.

Sipas saj, pavarësisht narrativëve të ndryshëm, emëruesi i përbashkët mbetet i njëjtë: dominimi i vlerave patriarkale.

“Mentaliteti patriarkal vazhdon të mos i trajtojë gratë dhe burrat si titullarë të barabartë të pronës, e sidomos të pronës së trashëguar”, thotë Fetiu.

“E pangopshme” nëse kërkon të drejtën
Sociologu Besim Gollopeni nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë të Jugut thotë se gratë që kërkojnë pjesën e tyre të trashëgimisë, shpesh stigmatizohen.

“Nëse një motër kërkon pjesën që i takon, ajo etiketohet si ‘e pamëshirshme’ ose ‘e pangopshme’”, thotë ai.

“Kjo qasje ka bërë që gratë të heshtin dhe trashëgimia të mbetet temë tabu, ndonëse është e drejtë ligjore”.

Sipas Gollopenit, edhe roli i institucioneve të drejtësisë ka ndikim dekurajues.

“Procedurat janë të gjata, zvarriten, dhe në disa raste gratë heqin dorë, sepse procesi bëhet i padurueshëm”, thotë ai.

Drejtësia që vonon, gratë që dorëzohen

Raporti i GLPS-së konstaton se sistemi gjyqësor në Kosovë përballet me sfida strukturore, teknike dhe njerëzore, të cilat e kufizojnë qasjen e grave në drejtësi.

Nga 24 raste të monitoruara, mesatarisht duhen rreth katër vjet – ose 1.454 ditë – që një çështje të nisë të shqyrtohet.

Edhe pas seancës së parë, proceset zvarriten për shkak të shtyrjeve të shpeshta.

“Nga 170 seanca të monitoruara, 55 janë shtyrë dhe disa janë anuluar krejtësisht”, thotë Fetiu. “Këto vonesa i dekurajojnë gratë të kërkojnë ndarjen e trashëgimisë”, sipas saj.

A po ndryshon brezi i ri?

Sociologu Gollopeni beson se ndryshimi duhet të nisë nga brezi i ri dhe nga familja.

“Të rinjtë duhet të jenë shembull në zbatimin e ligjit. Kjo temë duhet të diskutohet edhe në shkolla, por ndryshimi real nis nga prindërit”, thotë ai.

Megjithatë, jo të gjitha të rejat shprehen të sigurta se do ta kërkojnë trashëgiminë familjare.

Dea Gashi, Laura dhe Aurela – që të gjitha studente nga Prishtina – thonë për Radion Evropa e Lirë se hezitojnë kur bëhet fjalë për pasurinë e prindërve, por janë më të vendosura për pasurinë e krijuar në martesë.

“Nëse kontribuojmë të dy, pasuria duhet të jetë e përbashkët”, thotë Dea. “Nëse e blej vetë pronën me paratë e mia, ajo do të jetë vetëm në emrin tim. Ose nëse ai e blen vetë, nuk do të insistoj të jem bashkëpronare”, shton ajo.

E, Argjend Azizi, 22 vjeç, shprehet i bindur se motra e tij e vetme nuk do të përjashtohet nga trashëgimia familjare, ndërsa në martesë thotë se pasuria duhet të jetë e përbashkët.

“Vetëm kështu rritemi si çift dhe kontribuojmë në mënyrë të barabartë. Kontributi i asnjërit nuk mund të tjetërsohet”, shprehet ai.

Shifra që tregojnë ndryshim të ngadaltë
Sipas Agjencisë Kadastrale të Kosovës, në vend janë të regjistruara 656.430 prona.

Rreth 77 për qind janë në emër të meshkujve, ndërsa vetëm 21 për qind figurojnë në emër të grave, ose në emër të përbashkët të bashkëshortëve.

Regjistrimi i pronave në emër të përbashkët ka filluar të rritet pas vitit 2016, pas hyrjes në fuqi të një udhëzimi administrativ që e stimulon këtë praktikë. Ky udhëzim do të zbatohet deri në mars të vitit 2028.

Leonora Selmani, nga Agjencia për Barazi Gjinore, thotë se ky mekanizëm ka dhënë rezultate pozitive.

“Në vitin 2016 kishte vetëm 105 prona të regjistruara në emër të përbashkët. Sot, ky numër është rritur ndjeshëm”, thotë ajo, pa specifikuar më shumë.

Por Hana, që nuk ka përfituar asnjëherë nga pasuria e familjes dhe nuk ka pronë në emër të saj, e sheh jetën ndryshe.

“Shtëpia është në emër të burrit dhe kjo nuk më pengon”.

“Asnjëherë nuk kam kërkuar që të regjistrohet në emër të përbashkët. Ndoshta… sepse jam mësuar të mos kërkoj pronë”, përfundon 35-vjeçarja.