Lajme

Ish-gjenerali i FSK-së: Kosova mund të jetë në NATO deri më 2027

02/14/2026 18:13
nga:Sh R

Ish-gjenerali i Forca e Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka deklaruar se deri në vitin 2027 Kosova të bëhet pjesë e aleancës më të madhe politike-ushtarake në botë.

Në një intervistë për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ai foli për bashkëpunimin rajonal dhe përfitimet që, sipas tij, do të ketë vendi nga aleancat me Shqipëri dhe Kroaci.

“Aleancat e tilla mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë janë jashtëzakonisht të mira dhe të mirëseardhura, jo vetëm për shtetin e Kosovës dhe forcat e saj të armatosura, por edhe për rajonin në përgjithësi, sepse aleanca të tilla reflektojnë siguri dhe paqe dhe nuk janë kërcënim për askënd. Edhe pse Serbia po pretendon dhe po deklaron se aleanca mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës është rrezik i drejtpërdrejtë për të, unë mendoj personalisht se kjo është vetëm për stabilitet rajonal. Një aleancë e tillë është bërë dhe besoj se Kosova do të përfitojë më së shumti në aspektin e shkëmbimit të informacioneve ushtarake dhe inteligjencës ushtarake, që veç ka filluar të zbatohet. Pastaj Kosova mund të marrë përvojë për anëtarësimin në NATO, që është synimi ynë afatshkurtër dhe besojmë, shpresojmë që deri në vitin 2027 Kosova do të jetë pjesë e kësaj familjeje më të madhe politike dhe ushtarake në botë”, tha Kastrati.