Labinot Xhoxhaj sonte synon të mbrojtje për herë të dytë titullin e Kampionit të Evropës (EBU).
Boksieri kosovar Labinot Xhoxhaj është gati për një tjetër sfidë madhore në karrierën e tij profesionale.
Sonte në Lahr të Gjermanisë, Xhoxhaj do ta mbrojë për herë të dytë titullin e Kampionit të Evropës në versionin EBU (Heavyweight), në një duel të fortë ndaj suedezit Pezhman Seifkhani.
Sipas të dhënave zyrtare, Labinot Xhoxhaj (Kosovë) hyn në këtë meç me një bilanc mbresëlënës prej 21 fitoreve dhe vetëm 1 humbjeje, duke u renditur 35 në ranglistë.
Ai është 32 vjeç, me gjatësi 183 cm dhe konsiderohet një nga peshat e rënda më stabile në skenën evropiane aktuale.
Në anën tjetër, sfiduesi Pezhman Seifkhani nga Suedia ka një rekord prej 17 fitoreve dhe 1 humbjeje, renditet 111, është 35 vjeç, ndërsa ka avantazh fizik në gjatësi me 190 cm (6’3”).
Seifkhani njihet për disiplinën e tij taktike, goditjet e drejta dhe përvojën në duele të forta ndërkombëtare, çka e bën këtë përballje edhe më interesante.
Meçi do të zhvillohet në 12 raunde, nën rregullat e EBU-së, si dhe pritet të jetë një test serioz për kampionin kosovar, i cili synon ta konfirmojë dominimin e tij në Evropë.
Trajneri Toklir Xhoxhaj ka theksuar se gjithçka ka shkuar sipas planit në prag të këtij dueli të madh.
“Përgatitjet kanë ecur sipas planit. Kemi punuar intensivisht dhe e kemi studiuar me kujdes kundërshtarin e Labinotit. Jemi të bindur se do të hyjmë të përgatitur maksimalisht në ring.”
Ngjarja do të përcillet drejtpërdrejt edhe për publikun kosovar. RTK, sonte do të nisë program special nga ora 20:05, përmes të cilit fillon edhe maratona e boksit në RTK, duke i kushtuar vëmendje të veçantë kësaj mbrojtjeje historike të titullit evropian nga Labinot Xhoxhaj.
Një natë e madhe boksi pritet në Lahr, me gjithë sytë nga kampioni kosovar dhe misioni i tij për ta mbajtur titullin e Evropës.


