Lajme

Vengu nga Mynihu: Korridori VIII, hap strategjik për sigurinë rajonale, Shqipëria do rrisë funksionin në KFOR

02/14/2026 07:54
nga:Y I

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu këtë të premte në një lidhje live nga Mynihu ka folur në emisionin “Balkan Talks” me Franko Egro për bashkëpunimin ushtarak mes vendit tonë me Kosovën dhe Kroacinë. Ai gjithashtu foli lodhur me korridorin e tetë.

Vengu gjatë fjalës së tij u shpreh se aleanca miratoi përfshirjen e korridorit tetë si një korridor sigurie dhe për logjistikën e aleancës në rajonin tonë. Sa i përket investimeve në infrastrukturë ai theksoi se BE prej vitesh investon së bashku me qeverinë shqiptare.

Ai shtoi se ka filluar edhe investimi në infrastrukturën hekurudhore që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe portet e Detit të Zi.

“Atëherë, ditët e fundit, siç e thatë, kanë qenë ditë intensive në rrafshin e bashkëpunimit diplomatik dhe atij ushtarak. Në ministerialin e NATOS-s patëm një vendimmarrje shumë të rëndësishme, të dobishme për sa i përket vendit tonë dhe mbarë rajonit.

Siç e dini, prej vitit 2022 Shqipëria në aleancë ka propozuar përfshirjen e korridorit të 8-të, pra të gjithë infrastrukturës kritike rrugore, hekurudhore, ushtarake dhe detare me pikënisje në Durrës, Porto Romano dhe me dalje në Detin e Zi.

Praktikisht, pas një pune të qëndrueshme dhe të disiplinuar të komponentit tonë ushtarak dhe civil në NATO, aleanca e miratoi përfshirjen e korridorit tetë si një korridor sigurie, si një korridor kyç për logjistikën e aleancës në rajonin tonë. Kjo forcon pa dyshim pozicionin e Shqipërisë dhe i jep të drejtë qasjes së qeverisë shqiptare për të investuar në këtë korridor

Duhet të kuptojmë që ky është edhe një bashkëpunim mes NATO-s dhe Bashkimit Europian. Bashkimi Europian investon bashkë me Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare prej vitesh tashmë në infrastrukturën rrugore, dhe tashmë ka filluar edhe investimi në infrastrukturën hekurudhore të korridorit tetë, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me Bullgarinë dhe portet e Detit të Zi. Kjo e pozicionon kompleksin tonë portual, civil dhe ushtarak në një dimension krejt tjetër.

Kështu që ky është lajmi i mirë i ministerialit. Nga ana tjetër, siç e thatë, konferenca e Mynihut është një mundësi jo vetëm për të dëgjuar aleatët, me pjesëmarrje shumë të madhe sivjet, një delegacion i konsiderueshëm edhe senatorësh dhe kongresmenësh amerikanë me një përpjekje, do të thoja unë, nga të dyja anët e Atlantikut, për të rinisur konsolidimin dhe një faqe të re të marrëdhënieve transatlantike.’, tha ai.

I pyetur lidhur me vlerësimin e tij mbi zhvillimet e reja strategjike në raportet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën, Vengu u shpreh se kanë kërkuar vazhdimisht vëmendje maksimale të aleancës dhe të Bashkuara ndaj Kosovës dhe misionit të KFOR-it.

“Një kërkesë po ashtu e jona për sa i përket nevojës që KFOR-i të njohë progresin e Kosovës dhe forcave të sigurisë së Kosovës, të cilat kanë filluar të kontribuojnë në rritjen e sigurisë dhe mund të marrin përgjegjësi të mëtejshme në këtë drejtim”, shtoi ai.

Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO, Vengu u shpreh se Shqipëria së bashku me Kroacinë e kanë këtë si kërkesë të përsëritur në tryezën e NATO-s.

“Pa dyshim që deri në anëtarësim ka disa elementë që duhet të ndodhin, dhe elementi i parë ka të bëjë me qëndrueshmërinë e marrëdhënies midis KFOR-it dhe përgjegjësive që duhet të marrin forcat e sigurisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, Shqipëria nuk mbetet vetëm në aspektin diplomatik brenda aleancës. Ne ndërveprojmë me forcat e sigurisë së Kosovës”, tha ndër të tjera ai.