Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, nga Mynihu ka folur për bashkëpunimin ushtarak mes Tiranës me Kosovën dhe Kroacinë.
Në një bisedë për “Euronews Albania”, ai u shpreh se aleanca miratoi përfshirjen e Korridorit VIII si një korridor sigurie dhe për logjistikën e aleancës në rajonin tonë. Sa i përket investimeve në infrastrukturë, ai theksoi se BE prej vitesh investon së bashku me qeverinë shqiptare.
I pyetur lidhur me vlerësimin e tij mbi zhvillimet e reja strategjike në raportet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën, Vengu u shpreh se kanë kërkuar vazhdimisht vëmendje maksimale të aleancës dhe të ShBA-së ndaj Kosovës dhe misionit të KFOR-it.
“Një kërkesë po ashtu e jona për sa i përket nevojës që KFOR-i të njohë progresin e Kosovës dhe Forcave të Sigurisë të Kosovës, të cilat kanë filluar të kontribuojnë në rritjen e sigurisë dhe mund të marrin përgjegjësi të mëtejshme në këtë drejtim”, shtoi ai.
Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO, Vengu u shpreh se Shqipëria së bashku me Kroacinë e kanë këtë si kërkesë të përsëritur në tryezën e NATO-s.
“Pa dyshim që deri në anëtarësim ka disa elementë që duhet të ndodhin, dhe elementi i parë ka të bëjë me qëndrueshmërinë e marrëdhënies midis KFOR-it dhe përgjegjësive që duhet të marrin Forcat e Sigurisë të Kosovës. Nga ana tjetër, Shqipëria nuk mbetet vetëm në aspektin diplomatik brenda aleancës. Ne ndërveprojmë me forcat e sigurisë së Kosovës”, tha ndër të tjera ai.
Ministri shqiptar i Mbrojtjes shtoi se ka filluar edhe investimi në infrastrukturën hekurudhore që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe portet e Detit të Zi.

