Lajme

Haliti: Presidenti duhet të jetë nga opozita, nuk do të ishte konkurrencë për Kurtin

02/13/2026 18:47
nga:Sh R

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, vlerëson se rreziku për të shkuar sërish në zgjedhje ekziston vetëm nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit.

“Rreziku është vetëm nëse në procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës ka ndonjë situatë në të cilën kandidati ose kandidatja nuk i kanë 60+1 votë dhe sipas rregullores dhe Kushtetutës në sallë duhet me qenë 80 deputetë prej të cilës në herën e tretë duhet të votojnë të paktën 61 deputetë për kandidatin. Nëse kjo nuk ndodhë në rastin e parë dhe të dytë votimi bëhet me 2/3 e votave. Por, është lënë mundësia se nëse nuk bëhen 80 vota atëherë duhet të jenë 80 deputetë në sallë dhe 61 të votojnë pro”, tha Haliti.

Haliti, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se PDK-ja është duke studiuar këtë çështje teksa deklaroi se personalisht dëshiron që presidenti i ardhshëm të jetë nga opozita.

Haliti, mes tjerash, u shpreh se edhe nëse presidenti do të zgjidhej nga opozita nuk do të ishte konkurrencë për kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

“Ne akoma nuk jemi deklaruar publikisht po e studiojmë situatën dhe ne nuk e dimë se cili është mendimi dhe cili do të jetë qëndrimi edhe i partive tjera politike. Unë kam deklaruar publikisht që presidenti i Kosovës duhet të jetë nga opozita dhe jo pse ka ndonjë interes nga cilado parti apo PDK-ja në këtë rast që e kam propozuar. Por mendoj që posti i presidentit si simbol i unitetit dhe i noterizimit të çështjeve ligjore dhe vendimeve të mëdha të Kosovës dhe përgjegjës për marrëdhëniet ndërkombëtare do të ishte e mundshme të ishte nga opozita dhe jo të jenë të barrikaduara këto partitë që janë në koalicion. Opozita i merr votat edhe nga pozita dhe besoj që do të ishte shumë domethënëse që Albin Kurti ta propozonte kandidatin për president nga opozita”, u shpreh Haliti.

Haliti, mes tjerash, shprehu edhe qëndrimin lidhur me mundësinë që të kandidohej dikush nga Familja Jashari për postin e presidentit teksa u shpreh se ‘si parti e kemi qëndrimin dhe individualisht e kemi pikë të dobët e ka gjithë Kosova familjen Jashari’ për të gjitha ato që dihen.