Lajme

Miratohet kredia prej 629 milionë euro nga BE për Kosovën

02/13/2026 16:44
nga:Sh R

Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen e kredisë në vlerë prej 629 milionë euro nga Komisioni Evropian, në kuadër të “Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor”.

Marrëveshja u votua me 98 vota pro, asnjë kundër dhe katër abstenime.

Gjatë prezantimit të marrëveshjes, ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se kredia synon të mbështesë reformat kyçe në vend.

“Në kuadër të reformave janë ato për administratë publike, menaxhimin e financave publike, digjitalizimin e shërbimeve, infrastruktura, politikat e dekarbonizimit, efiçienca e energjisë, arsimi, tregu i punës dhe sundimi i ligjit. Ndërkaq vlera totale e kredisë është 629 milionë euro, ku 34.75% e disbursimit do të transferohet në Kornizën e Ballkanit Perëndimor, ndërkaq pjesa tjetër si mbështetje buxhetore”, shpjegoi Murati.

Sipas tij, fondet do të shpërndahen në përputhje me prioritetet reformuese dhe kushtet e përcaktuara në marrëveshje, me qëllim forcimin e zhvillimit ekonomik dhe institucional të vendit.