Lajme

Ambasadori Jonathan Hargreaves: Kosova ka potencial të madh ekonomik, por duhet guxim në dialogun me Serbinë

02/12/2026 22:22
nga:G B

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves është shprehur i kënaqur që vendi tashmë ka një qeveri funksionale, duke theksuar se kjo krijon mundësi për të çuar përpara proceset e rëndësishme gjatë këtij viti, shkruan Gazeta 10.

Ai në Politiko tha se qytetarët presin rezultate konkrete, sidomos në ekonomi, arsim dhe fusha të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme.

Sipas tij, Kosova ka mundësi të shkëlqyera zhvillimi, veçanërisht në sektorin e teknologjisë dhe energjive të ripërtëritshme — fusha që mund ta bëjnë vendin të lulëzojë dhe t’u krijojnë të rinjve arsye për të qëndruar, punuar, jetuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre në Kosovë.

Megjithatë, Hargreaves theksoi se bota po kalon një periudhë “pasigurie radikale”, të ndikuar nga sfidat gjeopolitike, zhvillimet teknologjike dhe ndryshimet klimatike. Në këtë kontekst, ai nënvizoi se Kosova duhet të gjejë rrugën e saj si një partner i besueshëm i sigurisë evropiane.

Ambasadori britanik vlerësoi si thelbësore ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve të ngushta me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, duke e parë Kosovën si kontribuese në sigurinë rajonale dhe evropiane.

Ai theksoi gjithashtu se përparimi në dialogun me Serbinë do të kërkojë guxim politik, duke e cilësuar këtë vit si një mundësi për të arritur përparim real në interes të stabilitetit në Ballkan dhe më gjerë.

Në fund, Hargreaves rikujtoi përparimin e jashtëzakonshëm që Kosova ka arritur në 18 vitet që nga pavarësia, por shtoi se mbetet ende punë për t’u bërë për integrimin e plotë në ekonominë dhe sigurinë evropiane.

“Ky duhet të jetë një vit në të cilin Kosova siguron shërbime, siguri dhe mundësi për të gjithë qytetarët e saj dhe përmbush premtimin për të qenë një shtet demokratik dhe multi-etnik,” theksoi Hargreaves në Politiko.