Lajme

“Dinjitet dhe barazi” – Osmani kërkon mbështetje konkrete në Buxhetin 2026 për personat me aftësi të kufizuara

02/12/2026 18:54
nga:G B

Qytetari Valon Osmani u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe komisioneve parlamentare që gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2026 të prioritizojnë çështjet që lidhen me personat me aftësi të kufizuara.

Përmes një reagimi publik, Osmani e ka cilësuar shqyrtimin e buxhetit si një moment me rëndësi të veçantë për vendin, duke kërkuar që kërkesat e kësaj kategorie të marrin trajtim konkret dhe të përfshihen në planifikimet buxhetore për vitin e ardhshëm.

Ai ka theksuar nevojën për zbatimin e vendimit për pagën minimale dhe reflektimin e saj në rritjen e kompensimeve dhe beneficioneve për përfituesit e Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, në përputhje me nenin 7 të këtij ligji.

Po ashtu, Osmani ka kërkuar njohjen e të drejtës për dy kujdestarë personalë, sidomos për personat tetraplegjikë, duke theksuar se për këtë kategori përkujdesja 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, është e domosdoshme.

“Kërkoj nga ju që këto çështje të përfshihen dhe të mbështeten në buxhetin e vitit 2026. Po ashtu, kërkoj edhe perkrahjen e Qeverisë së Kosovës për realizimin e kërkesave, në mënyrë që të sigurohet dinjitet, përkujdesje dhe barazi për këtë kategori.”