Lajme

Bislimi reagon pasi mbeti jashtë Qeverisë Kurti 3: Kemi bërë më të mirën

02/12/2026 18:28
nga:Sh R

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar publikisht pasi nuk është përfshirë në përbërjen e ekzekutivit në Qeverinë Kurti 3.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar për punën e tij gjatë mandatit të kaluar, duke renditur disa nga arritjet që, sipas tij, janë shënuar gjatë kësaj periudhe.

“Liberalizimi i vizave, avancimi në zbatimin e reformave të agjendës evropiane dhe aplikimi për anëtarësim, zhvillimi dhe politikat që sollën gjjithëpërfshirje, barazi dhe ritëm të qëndrueshëm të rritjes ekonomike dhe përfaqësimi i Kosovës në dialogun në Bruksel, për të mbrojtur interesat e shtetit tonë dhe prezantuar Kosovën si palë në këtë proces.

Këto ishin disa prej të arriturave dhe punëve që i shtyem përpara dhe realizuam gjatë mandatit të kaluar. Mirënjohje të thellë për Kryeministrin Kurti, për mundësinë e dhënë që të kontribuoj në këto procese të rëndësishme. Falënderoj kolegët nga kabineti qeveritar e gjithashtu edhe ekipin tim që më ka shoqëruar në këto 5 vite, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe rrugëtimin e përbashkët që na ka përcjellë mes sfidash dhe suksesesh të shumta.
Këtë mandat e kemi bërë më të mirën. Mandati i ri qeveritar, i cili vjen edhe me më shumë përgjegjësi dhe besim nga qytetarët, do të jetë edhe më i suksesshëm, me të arritura të reja, progres demokratik dhe zhvillim ekonomik”, ka shkruar Bislimi.