Lajme

Maloku: Ideale do të ishin 12–14 ministri, janë shtuar për të plotësuar interesat partiake për pozita!

02/12/2026 12:17
nga:Y I

Ditën e djeshme u konstituua Kuvendi dhe u formua Qeveria ‘Kurti 3’.

Nga 16 sa ishin numri i ministrive shkoi në 20, duke u shtuar edhe katër.

Në lidhje me këtë vendim të Kurtit ka folur për “Gazeta Blic”, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Albinot Maloku.

Maloku tha se skenar ideal në një vend si Kosova do të konsiderohej optimale një strukturë me 12–14 ministri të konsoliduara, jo më shumë.

Ai tha se kjo qeveri me numër të madh minsitrish është formuar për të plotësuar vullnetet dhe interesat partiake për pozita.

“Në një skenar ideal për një shtet si Republika e Kosovës, do të konsiderohej optimale një strukturë me 12–14 ministri të konsoliduara, jo më shumë. Ky ka qenë një premtim i kahmotshëm, por fatkeqësisht asgjë e re sa i përket mosrespektimit të premtimeve dhe kauzave të ngritura.Qeveritë, si kjo aktualja ashtu edhe ato para saj, me numër të madh ministrish shpesh janë formuar për të plotësuar vullnetet dhe interesat partiake për pozita. Me një numër të tillë rritet burokracia dhe kostoja e panevojshme, krijohen mbivendosje kompetencash, vështirësohet koordinimi dhe shtohet ndikimi politik mbi profesionalizmin” tha Maloku për “Gazeta Blic”.

Maloku potencoi se ministritë do të duhej të ishin strategjike e jo të fragmentuara për interesa partiake.

“Ministritë do të duhej të ishin strategjike, e jo të fragmentuara për interesa partiake. Megjithatë, të diskutohet për përmbajtjen, formatin dhe numrin e një qeverie ideale e funksionale për Republikën tonë duket si luks i madh, në një realitet ku niveli i pritjeve është reduktuar në çështjen, Qeveria u formua e Kuvendu u themelua! Mirë boll” tha Maloku në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/