Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke vazhduar për të katërtën ditë radhazi, procesi me deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjatë ditës së sotme ekipit mbrojtës të Kadri Veselit t’i jepet fjala për paraqitjen e argumenteve përfundimtare.
Avokati i Veselit, Rodney Dixon, deklaroi Kadri Veseli do të lirohet dhe do të shpallet i pafajshëm dhe se çdo përpjekje tjetër e ZPS-së është e kotë.
“Përfundimi i gjykimit të Veselit do të jetë sukses jo vetëm që do të lirohet dhe do të shpallet i pafajshëm por do të vendoset edhe precedenti që brezat e ardhshëm do ta zbatojnë. Gjëja e fundit që dua është që brezat e ardhshëm në Kosovë dhe rajon gjerësisht të mos kenë besim në shtetin ligjor për shkak se është shkelur hapur në këtë çështje gjyqësore”.
“Të nderuar gjykatës ju si gardianët e shtetit ligjor tani në fund të këtij gjyqi të gjatë e keni në dorë argumentet e ZPS-së kundër zotit Veseli dhe jeni ju të nderuar gjykatës të cilët do të jeni përballë dhe do ta pengoni këtë përpjekje të kotë të ZPS-së me qëllim që të mos shtrembërohet drejtësia”, u shpreh Dixon.
Mes tjerash, Dixon u shpreh se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka fakte se Veseli ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Shtabin e Përgjithshëm kur ishte jashtë shtetit dhe beson që ajo nuk ka fakte për akuzat që i ka ngritur.
“Viktimat kanë nevojë për drejtësi, e cila duhet të jetë e bazuar në të vërtetën dhe në realitetin. Viktima e dinë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar, e rreme. Me synimin që t’i jepet fund pandëshkueshmerisë është e nevojshme të mos sakrifikohet e vërteta, duhet të mbrohen të pafajshmit dhe gjykatat tona duhet të jenë me gjykata me integritet, pavarësisht nëse duhen mbi pesë vjet apo më gjatë për të arritur deri te përcaktimi i së vërtetës, siç ndodh këtu. Ne duhet të ecim në drejtim të saj për të arritur në fund të këtij gjyqi, tani që e dimë se cilat janë argumentet që përdor Zyra e Prokurorit ë Specializuar”, deklaroi Dixon.


