Agjencia e Punësimit e Kosovës ka njoftuar se nga ky vit është rritur subvencioni mujor për punësimin e të rinjve në kuadër të skemës Kosovo Generation Unlimited.
Në një kohë kur shumë të rinj përballen me vështirësi për të hyrë në tregun e punës, një lajm i mirë ka ardhur nga Agjencia e Punësimit, duke treguar se subvencioni për punësim rritet nga 170 në 300 euro.
Agjencia ka njoftuar se nga viti 2026 është rritur subvencioni mujor për punësimin e të rinjve në kuadër të skemës Kosovo Generation Unlimited, një program që synon të lehtësojë hyrjen e të rinjve në tregun e punës përmes praktikave të subvencionuara dhe bashkëpunimit me sektorin privat.
Kjo skemë, e cila zbatohet nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me UNICEF dhe Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), do të ofrojë mbështetje më të madhe financiare për bizneset që pranojnë të rinj në punë apo në programe praktike.
Sipas njoftimit zyrtar, shuma mujore e subvencionit është rritur nga 170 euro në 300 euro, një ndryshim i konsiderueshëm që synon të motivojë më shumë kompanitë të hapin vende pune për të rinjtë dhe të ndihmojë të rinjtë të fitojnë përvojën e parë profesionale.
“Nga ky vit, skema Kosovo Generation Unlimited, e zbatuar nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me UNICEF dhe OEGJK, rrit subvencionin mujor për praktikë në punë nga 170€ në 300€. Më shumë mbështetje për bizneset. Më shumë motivim për punësimin e të rinjve. Më shumë ndikim real në tregun e punës”, thuhet në njoftim.
Nga Agjencia e Punësimit theksohet se rritja e subvencionit pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e punësimit të të rinjve, duke lehtësuar përfshirjen e tyre në tregun e punës.
Të rinjtë e interesuar për të përfituar nga kjo skemë ftohen të paraqiten në zyrën më të afërt të punësimit për informim dhe aplikim, ndërsa prioritet do të kenë ata që janë në kërkim të punës për herë të parë.
Rritja e subvencionit përputhet me rritjen e pagës minimale, e cila nga 1 janari 2026 është përcaktuar në 425 euro bruto, ndërsa pritet të arrijë në 500 euro në fazën e dytë të zbatimit gjatë verës.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e papunësisë tek të rinjtë mbetet mbi 25 për qind, ndërsa mbi 17 mijë të rinj janë të regjistruar aktualisht si punëkërkues aktivë në Agjencinë e Punësimit.


