Fikrim Damka nga Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP) është zgjedhur nga kryeministri Albin Kurti si zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave, në ekspozenë e mbajtur sonte para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ndaj Damkës që në mandatin e kaluar, ka ushtruar detyrën e ministrit të Zhvillimit Rajonal, Prokuroria ka ngritur dy aktakuza, njëra për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. dhe tjetra për veprat “sulm” dhe “kanosje”.
Sipas aktakuzës së parë, Damka dhe Besim Kamberaj akuzohen se në periudhën 16 gusht 2021 deri më 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim përfitimi pasuror për dy organizata joqeveritare, “Germin” dhe “Caritas Zviceran”.
Sipas hetimeve, me këto veprime dyshohet se i është shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 1,040,000 euro.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, partia e tij kishte siguruar dy ulëse në Kuvend, njëra prej të cilave i takonte Damkës. Megjithatë, pas procesit të rinumërimit, ai e ka humbur mandatin e deputetit.
Lidhur me këtë çështje, Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, ka deklaruar se Damka duhet të intervistohet në rastin ku dyshohet për manipulime me vota.
“Me siguri që po [duhet të intervistohet]”, ka thënë Pula.
“Është i vetmi kandidat që e ka humbur mandatin e deputetit dhe pa mëdyshje që duhet të intervistohet”, ka deklaruar ajo më herët, duke shtuar se hetimet janë kompetencë e Kryeprokurorit të Prokurorisë përkatëse.
Damka ka edhe një aktakuzë tjetër. Prokuroria Themelore në Prizren vitin që shkoi ngriti aktakuzë ndaj dy të pandehurve Fikrim Damka, dhe F.D., pasi dyshohen se kanë kryer veprat penale “sulmi” dhe “kanosja”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Fikrim Damka më 9 shkurt rreth orës 17:20 në Prizren ka përdorur forcë fizike ndaj A.M. dhe M.J., për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme në mes tij dhe të dëmtuarit M.J., lidhur me publikimin e disa informatave dhe lajmeve në rrjetet sociale për partinë “KDTP” dhe kryetarin Damka.
“Derisa të dëmtuarit ishin duke qëndruar në parkun e lagjes me disa anëtarë tjerë të partisë së tyre “YTHP”, për një moment i pandehuri hyn në park dhe me vrull i afrohet të dëmtuarës, dhe i drejtohet me fjalë kanosëse, dhe më pas me dy duart e kap të dëmtuarën nga pjesa e supeve dhe e shtynë, ku më pas aty ndërhyjnë të pranishmit dhe e largojnë të njëjtën nga parku, më pas i pandehuri i drejtohet të dëmtuarit M.J., me fjalë kanosëse dhe menjëherë e sulmon, duke e goditur me trupin e tij, trupin e të dëmtuarit dhe me kokën e tij e shtyen kokën e të dëmtuarit, me ç`rast tek i dëmtuari shkakton dhimbje fizike. Me këto veprime, i njëjti kryen veprën penale “Sulmi” sipas KPRK-së”, pati njoftuar Prokuroria


