Lajme

Abdixhiku pas konstituimit të Kuvendit: LDK do të jetë zë i arsyes dhe i stabilitetit institucional

02/11/2026 18:49
nga:Sh R

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke theksuar se deputetët e LDK-së kanë dhënë betimin me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve dhe Kushtetutës.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka bërë të ditur se bashkë me deputetët e partisë së tij kanë dhënë betimin “përpara qytetarëve dhe Kushtetutës, përpara vendit dhe Zotit”.

Ai ka theksuar se përfaqësuesit e LDK-së e nisin mandatin e ri me vetëdije të lartë për besimin e marrë, duke u zotuar për përkushtim ndaj ligjshmërisë, demokracisë dhe interesit publik.

Sipas Abdixhikut, Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë “zë i arsyes, i stabilitetit institucional dhe i shtetit funksional”, duke shtuar se angazhimi i saj do të jetë në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve, si brenda Kuvendit ashtu edhe jashtë tij.

“Me përgjegjësi të plotë dhe vetëdije të lartë për besimin e marrë, përfaqësuesit tanë, e nisin mandatin të përkushtuar ndaj ligjshmërisë, demokracisë dhe interesit publik. LDK do të jetë zë i arsyes, i stabilitetit institucional dhe i shtetit funksional, në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve të saj, në Kuvendin e Kosovës dhe jashta tij.”, ka shkruar kreu i LDK-së.