Lajme

Memli Krasniqi kërkon nga deputetët unitet dhe mbrojtje dinjitoze për çlirimtarët në Hagë

02/11/2026 18:39
nga:Sh R

Ish-Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar deputetët e rinj me rastin e konstituimit të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë institucionale në këtë mandat të ri.

Përmes një reagimi publik, Krasniqi uroi të gjithë deputetët për punë të mbarë dhe kurajo në marrjen e vendimeve në interes të qytetarëve dhe të shtetit. Ai veçoi deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, duke i ftuar që të përfaqësojnë me dinjitet besimin e qytetarëve, të jenë zë i fuqishëm i interesit shtetëror dhe gardianë të Kushtetutës në çdo rrethanë.

Duke iu referuar sfidave aktuale, përfshirë fazën finale të procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Krasniqi theksoi se është detyrë institucionale dhe kombëtare që të sigurohet mbrojtje dinjitoze dhe qasje e unifikuar në përkrahje të çlirimtarëve, në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtësisë.

Në fund, ai nënvizoi se Kosova është më e fortë kur institucionet veprojnë me maturi, unitet dhe përgjegjësi, duke uruar suksese në këtë mandat të ri, në funksion të së ardhmes euroatlantike të vendit.