Lajme

Tërnava pret përfaqësuesit e “Liria ka Emër” – BIK mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

02/11/2026 13:29
nga:Y I

Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë pritur sot në takim nga Kryetari i Bashkësia Islame të Kosovës, Naim Tërnava, për të diskutuar rreth Marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

Gjatë takimit, Kryemuftiu Tërnava shprehu mbështetjen e plotë institucionale të BIK-ut dhe mbështetjen e tij personale për këtë marsh, duke e cilësuar atë si obligim moral dhe patriotik.

Ai theksoi se tashmë ka njoftuar të gjitha xhamitë e Kosovës që hytbeja e xhumasë, të premten më 13 shkurt, t’i kushtohet 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës – me theks të veçantë në mesazhin përkrahës për luftëtarët e lirisë.

“Mbështetja për drejtësinë dhe për ata që kontribuuan për lirinë e vendit është obligim moral dhe atdhetar. Drejtësia duhet të jetë e drejtë, e paanshme dhe në shërbim të së vërtetës” u shpreh Tërnava, duke konfirmuar pjesëmarrjen e tij personale në marsh.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, falënderoi Kryemuftiun për mbështetjen dhe theksoi se përkrahja që po merr marshi nga bashkësitë fetare dëshmon karakterin qytetar dhe gjithëpërfshirës të kësaj iniciative.

“Kur institucionet fetare, qytetarët dhe shoqëria bashkohen rreth parimeve të drejtësisë dhe dinjitetit, kjo tregon se kauza jonë është mbi politikën ditore dhe në shërbim të vlerave themelore të shtetit”, tha Hoxha.

Ndërkaq, Ismail Tasholli theksoi rëndësinë e unitetit qytetar në momente kyçe për vendin.

“17 Shkurti është ditë që na bashkon të gjithëve. Ky marsh është mesazh i qartë se drejtësia nuk duhet të jetë e ndikuar nga politika dhe se sakrifica për liri meriton respekt e trajtim të drejtë. Është moment reflektimi dhe përgjegjësie kombëtare”, u shpreh Tasholli.

Platforma “Liria ka Emër” fton të gjithë qytetarët, organizatat dhe komunitetet që më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë, t’i bashkohen marshit në Prishtinë për të dhënë një mesazh të qartë: Drejtësi, jo politikë.