Lajme

A u shlye borxhi 100 mijë eurosh “në mënyra tjera”? Deklarohet Behgjet Pacolli pas dëshmisë së Naim Murselit

02/11/2026 12:47
nga:Genita C

Biznesmeni dhe politikani Behgjet Pacolli ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni për kërkesën e të akuzuarit Naim Murseli për të komunikuar me të nga paraburgimi.

Gjatë seancës së sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u bë e ditur se Murseli kishte kërkuar zyrtarisht kontakt me Pacollin, por kjo kërkesë u refuzua nga gjykata.

Pacolli u shpreh i befasuar nga ky informacion.

“Nuk di, nuk di fare, herën e parë po dëgjoj tash. Nëse drejtësia më thërret, unë do të shkoja”, ka thënë Pacolli për Betimi për Drejtësi.

Gjatë seancës, Naim Murseli deklaroi se ka pasur një parakontratë borxhi me Pacollin në vlerë prej 100 mijë eurosh, të cilën pretendoi se e ka shlyer “në mënyra të tjera”.

Pacolli e konfirmoi ekzistencën e këtij borxhi, por theksoi se kurrë nuk ia ka kërkuar mbrapsht.

“I kam ndihmu gjithmonë atij. S’e kam kërku atë borxh mbrapa hiç. Po më duket ka mbet një borxh prej kur e ka ble një lokal përpara atje në Suedi”, u shpreh biznesmeni, duke i cilësuar këto raporte si publike dhe të njohura.

Gjykata e ka arsyetuar refuzimin e kontaktit mes tyre me faktin se Pacolli hyn në kategorinë e personave me të cilët ligji nuk e lejon komunikimin e të akuzuarit në këtë fazë të procedurës.