Ish-ushtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj ka komentuar pretendimet e Prokurorisë së Specializuar ndaj Hashim Thaçit, ku gjatë ditës së martë prokurori Matthew Howling në fjalët përmbyllëse deklaroi se Jame Rubin dhe Wesley Clark u mashtruan nga ish-presidenti i Kosovës.
Goxhaj tha se prokuroria ka pasur mundësinë t’i kundërshtonte këta dëshmitarë në momentin që kanë dhënë dëshminë, megjithatë, sipas tij, tani po i përdorë për efekt propagandistik.
“Deklaratat që ka bërë prokuroria, do duhej t’i kishte bërë në momentin që ato dëshmi janë dhënë. Në momentin kur këto dëshmi janë dhënë, prokuroria nuk ka pasur ndonjë kundërshtim, dhe fakti që i bën këto në raportin e tyre përmbledhës, kjo mendoj se nuk asnjë lloj vlere juridike, sepse për kundërshtimin e një dëshmitari, prokuroria e ka pasur gjithë kohën e duhur që menjëherë pas tyre të bënte kundërshtimin ndaj tyre. Duke mos e bërë një gjë të tillë, tani e bën vetëm për efekt propagandistik dhe për të ndikuar në mënyrë psikologjike te gjykata”, tha Goxhaj në emisionin “Ora Shtatë”.
Pos tjerash, ai tha se Prokuroria e Hagës me këto pretendime, sipas tij, qëndron në një nivel të injorancës së madhe.
“Sa i përket faktit se prokuroria pretendon se qenkan mashtruar, atëherë prokuroria këtu tregon se qenka në nivelin e një injorance të madhe, sepse Wesley Clark nuk ishte një individ i thjeshtë i cili merrte lajmet nëpërmjet televizionit, por ishte kryekomandanti i Forcave të NATO-s”, tha ai .


