Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë se sjellja e shtetit në raport me të akuzuarit në Hagë është e turpshme.
Në Rubikon të Klan Kosova, ai hodhi kritika të mëdha ndaj pushtetit të LVV-së.
“Për pesë vjet, asnjë vizitë e as mbështetje, së paku morale, ky pushtet i deritanishëm nuk ka bërë për ta. Së paku deklarativisht nuk na ka mbështetur shoqatave të dala nga lufta. Kurrë nuk kanë qenë të gatshëm së paku moralisht të na mbështesin. Për turp ka qenë qasja e këtij pushteti. Nuk janë këta njerëz duke u gjykuar individualisht, por për themelet e shtetit tonë. Zoti Kurti para do të kohe ka thënë se zoti Thaçi me duar të lidhura po interferon në politikën në vendin tonë. E tash, pas 5 vitesh, kur kemi ardhur në fund të procesit, po do me na tregu zotëri Kurti se qëndron deklarativisht afër nesh? Kjo është e papranueshme, e vonë dhe tepër e parandësishme”, u shpreh Syla, duke theksuar se këto qëndrime janë edhe të OVL-së e edhe të tijat personale.
Analisti Dukagjin Gorani tha se shpreson që protesta e 17 shkurtit do të mund të krijojë ndikim në gjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Unë mendoj se çdo shpërfaqje e vullnetit shoqëror krijon opinion. Nuk e di nëse krijimi i këtij opinioni është në gjendje të ndikojë edhe në gjykim e vendim. Protesta e 17 shkurtit nuk ka dyshim se do të jetë më e madhja e organizuar deri më sot, dhe mendoj që së paku në opinionin publik dhe politik shqiptar dhe në Kosovë, do të ndërtojë një disponim dhe klimë të re. Mirëpo, për mua është me rëndësi se sa do të jetë ajo në gjendje të ndikojë në vendimin e gjykatës, për të cilin unë jam i shqetësuar”, u shpreh Gorani.


