Lajme

Basha: Pesë nënkryetarët e Kuvendit do të votohen në pako, më pas do të votohet Qeveria

02/10/2026 19:01
nga:Sh R

Kryetari i legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se ka pasur konsensus të 14 kryetarëve të subjekteve politike që në seancën konstituve të së mërkurës, të pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës të votohen në pako.

Pas mbledhjes me përfaqësuesit politikë për përgatitjen e seancës konstituive, Basha tha se ka pasur konsensus edhe për pikat e tjera të rendit të ditës, përfshirë të zgjedhjes së kryetarit dhe pas konstituimit të Kuvendit do të vazhdohet me seancën për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Ndërkaq, për çështjen e votimit në pako të nënkryetarëve, Basha tha se një gjë e tillë është propozuar nga udhëheqësit e partive joshumicë joserbe.

Ndryshimi i vetëm, sipas Bashës, është që seanca konstituive nuk do të nisë në orën 12:00, siç ka vendosur presidentja, por në orën 17:00, pasi në Hagë do të mbahen deklaratat përmbyllëse të ekipeve mbrojtëse të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndryshimi i orës është bërë me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe është mbështetur nga të gjithë, tha Basha.

“Liderët e subjekteve politike kanë pranuar që mbledhja e seancës konstituive të mbahet në ora 17:00, dhe pastaj të vazhdohet me votimin e Qeverisë”, tha Basha.