Raphinha, do të presë deri në minutën e fundit për të parë nëse mund të marrë pjesë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit kundër Atletico Madridit të enjten në Metropolitano.
Braziliani është aktualisht nën pikëpyetje serioze pasi nuk u stërvit me ekipin e parë të martën. Kjo është një goditje e rëndë për Hansi Flick, i cili mund të jetë pa një nga lojtarët e tij më të rëndësishëm për përballjen me “Los Colchoneros”.
Nëse Raphinha nuk luan, do të jetë ndeshja e tretë radhazi që ai do të humbasë për shkak të asaj që klubi e përshkroi si “mbingarkesë muskulore”.
Anësori u zëvendësua në pushimin e pjesës së parë kundër Elche dhe më pas nuk luajti asnjë minutë as kundër Albacete në Copa del Rey dhe as kundër Mallorca në La Liga në fundjavë.
Flick nuk e fshehu pakënaqësinë e tij në një konferencë për shtyp:
“Sinqerisht, nuk jam i kënaqur me këtë situatë. Duhet të shohim se çfarë duhet të ndryshojë dhe çfarë duhet të ndryshojë ai. Po hyjmë në një periudhë shumë të rëndësishme dhe kemi nevojë për të. Nuk është mirë për ne kur ai nuk është i disponueshëm”, tha gjermani.
/GazetaBlic Sport/


