Përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha ka vizituar sot Komunën e Vitisë, ku është pritur nga nënkryetari Hasan Alia, i cili i ka shprehur përkrahjen e kësaj komune për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.
Në këtë takim, Hoxha tha se mbështetja që po merr Marshi nga komunat dhe nga udhëheqësit e tyre është dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore.
“Ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, tha Hoxha.
Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Alia u zotua se ekzekutivi do të angazhohet maksimalisht për mobilizimin e të gjithë qytetarëve për pjesëmarrje në Marshin e 17 shkurtit.
“Këtij Marshi për çlirimtarët në Hagë duhet t’i përgjigjen me pjesëmarrje të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi Alia.
Tutje, Eliza Hoxha ka zhvilluar takime tjera, ku ka marrë mbështetje edhe nga kategori të tjera të shoqërisë në këtë komunë. Ajo është pritur nga kryetari OVL-UÇK në Viti, Idriz Quni dhe nga kryetari i “KF Vllaznia” në Pozharan, Halit Alidema.
Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet edhe në komunat tjera të Kosovës dhe me të gjithë akterët e rëndësishëm të shoqërisë për mobilizim sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.


