Lajme

Macron i kërkon Evropës të fillojë të veprojë si fuqi botërore

02/10/2026 15:55
nga:G B

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje që Evropa të afirmohet si një fuqi e vërtetë globale, duke thënë se kontinenti po përballet me një “zgjim të dhimbshëm” përballë kërcënimeve në rritje nga Kina, Rusia dhe së fundmi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë për një grup gazetash evropiane, para samitit të Bashkimit Evropian në Bruksel, Macron theksoi se Evropa duhet të pyesë veten nëse është e gatshme të veprojë si fuqi në ekonomi, financa, mbrojtje, siguri dhe në mbrojtjen e sistemeve demokratike.

“Jemi gati të bëhemi një fuqi? Kjo është pyetja thelbësore sot”, deklaroi ai, raporton BBC.

Macron përsëriti thirrjen e tij për krijimin e borxhit të përbashkët evropian (eurobonde), për të financuar investime të mëdha industriale. Sipas tij, BE-ja ka nevojë për rreth 1.2 trilion euro në vit për investime në siguri dhe mbrojtje, energji të pastër dhe inteligjencë artificiale.

“Ka ardhur koha për të krijuar një kapacitet të përbashkët borxhi për të financuar të ardhmen tonë. Na duhen programe të mëdha evropiane për projektet më të mira”, u shpreh ai.

Këto propozime kanë hasur më herët skepticizëm, veçanërisht nga Gjermania dhe disa vende të Evropës Veriore, të cilat druhen se Franca po kërkon që BE-ja të mbulojë barrën financiare të reformave të parealizuara.

Vetë Macron pranoi se Franca nuk ka pasur kurrë një model ekonomik të balancuar, ndryshe nga disa ekonomi veriore, dhe se nuk ka zbatuar reforma të thella si Portugalia, Spanja, Italia dhe Greqia në vitet 2010 – reforma që, sipas tij, sot po japin rezultate.

Megjithatë, ai theksoi se tregjet financiare globale po kërkojnë gjithnjë e më shumë alternativa ndaj dollarit amerikan dhe se Evropa nuk po e shfrytëzon këtë mundësi.

“Tregjet janë gjithnjë e më të frikësuara nga dollari. Investitorët kërkojnë alternativa. Një shtet demokratik dhe sundimi i ligjit janë një avantazh i madh”, tha Macron, duke shtuar se Kina është një regjim autoritar, ndërsa SHBA po largohet gjithnjë e më shumë nga parimet e shtetit ligjor.

Duke folur për konkurrencën globale, Macron kërkoi që Evropa të mbrojë industritë e saj strategjike, pa u bërë proteksioniste.

“Kina e bën këtë, Amerika gjithashtu. Evropa është tregu më i hapur në botë. Nuk është çështje proteksionizmi, por koherence – të mos u vendosim prodhuesve tanë rregulla që nuk ua vendosim të tjerëve”, tha ai.

Në fund, Macron paralajmëroi se Evropa nuk duhet të mashtrohet nga luhatjet e qëndrimeve të Uashingtonit, duke iu referuar tensioneve të fundit për Groenlandën.